Pasditen e së dielës Kavaja u trondit nga një ngjarje e rëndë ku Arjan Gosa, u qëllua për vdekje me një plumb në kokë nga 31-vjeçari Habib Rexha.

I riu nga Kukësi jetonte jashtë vendit, por kishte ardhur vetëm për të marrë hakun e të vëllait, Altin Rexhës, i cili mbeti i vdekur 29 Mars 2023, pasi u qëllua disa herë me thikë nga Armand Gosa, vëllai i Arjan Gosës.  Armand Gosa mbeti i vdekur dhe vetë po atë ditë, pasi Altin Rexha edhe pse i plagosur u kundërpërgjigj me pistoletë.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm familjarët e Habit Rexhës janë shprehur të frikësuar se familja Gosa mund të hakmerret për vrasjen e familjarit të tyre Arjan Gosa dhe kanë kërkuar mbrojtje nga Policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në një lokal në Kavajë. Viktima, Arjan Gosa ishte duke konsumuar kafe me të atin në momentin kur u qëllua me plumb në kokë nga Habib Rexha. Policia ka ofruar 10 mijë euro shpërblim për këdo që ka informacione për vendndodhjen e këtij të fundit.