Personi që ndodhet pas hekurave, pasi ka vrarë 15-vjeçarin Fatjon Bici, në Gramsh ka treguar se si ka nisur sherri mes tyre.

Në dosjen e publikuar sot në media, bëhet me dije se autori është shprehur se Bici që e identifikojnë si ‘kaçurrelsi’ e ka qëlluar me grusht në fytyrë. Në ato çaste, autori, gjithashtu 15-vjeç thotë se ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar direkt.

Pjesë nga dëshmia:

Personi me flokët kaçurrela, e ka goditur me grusht në fytyrë dhe në atë moment ai nuk e ka menduar gjatë, pasi i janë errësuar sytë dhe me dorën e djathtë, ka nxjerrë nga xhepi thikën me buton me hapje ngjyrë gri, me të cilën ka goditur personin me kaçurrela. Shton se nuk mban mend se ku e ka goditur. Pas këtij veprimi, një nga personat e grupit tjetër ka goditur S… me grusht në bark. Nuk mbaj mend nëse S ka goditur njeri apo jo por pashë vetëm që S u godit me grusht në bark. Pas kësaj grupi tjetër iku për nga shkolla kurse ne të katërt ikëm për nga gjykata dhe më pas na kapi policia tek lumi. Kur na kapi Policia, H e kishte hedhur dorezën në tokë para se të na kapte Policia, unë hodha thikën e gjakosur, Xh kishte hedhur dorezën që kishte dhe S kishte hedhur thikën e tij. Deklaron se nuk mban mend nëse kam goditur njeri tjetër pas personit me kaçurrela, pasi është errësuar nga sytë dhe nuk arrin të kujtojë asgjë.

Vrasja e Bicit ndodhi pak ditë më parë në Gramsh, në afërsi të shkollës “Asllan Shahini”. Të rinjtë u takuan për të sqaruar një sherr që kishte nisur në rrjetet sociale, por me vete kishin marrë thika dhe përforcues grushti. Në sherr e sipër, Bicin e qëlluan me thikë në zemër. 15-vjeçari ndërroi jetë, ndërsa kushëriri i tij, Marko Liçi u plagos dhe ndodhet ende në spital.