Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ka folur në një takim informal me gazetarët në lidhje me çështjet më të nxehta të momentit që janë marrë në shqyrtim nga kjo Prokurori.
Fillimisht Dumani deklaroi se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë gjetur prova në kontrollin që u është bërë vilave të bashkëjetueses së Arben Ahmetajt.
“Nuk i marrim leje kurrkujt e thërrasim këdo të jetë për ta marrë në pyetje, Arben Ahmetajn apo kushdo që të jetë. Kontrollet janë në dinamikën e hetimit, ku grupi vlerësoi se në këto ambiente mund të gjendeshin prova. Kemi gjetur prova. Sekuestro është preventive, masë sigurie me qëllim që të mos tjetërsohet pronësia. Në verifikim është çdo gjë. Kemi nisur letërporosi në shumë shtete, jo vetëm në një shtet, kërkon kohë, ka që janë përgjigjur, ka që janë në proces, hetimi përfshin çdo gjë (përfshirë edhe mundësinë e fshehjes së pasurisë jashtë). Patjetër që do ta thërrasim Ahmetajn, nëse do ta shikojmë të nevojshme”, tha Dumani.
Më pas Dumani u është përgjigjur gazetarëve në lidhje me sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës, ku tha se veprimet po kryhen me kujdes pasi në rast paligjshmërie shteti mund të përballet me një padi në arbitrazh.
“I takon prokurorit të çështjes. E para, ata po kryejnë shumë veprime hetimore, me intensitet shumë të madh. Aty ka shoqëri pas shoqërie dhe duhet t’i gjendet pronari real se nesër pasnesër të çon në arbitrazh. Patjetër që po paguajmë se është detyrim kontraktual. Por e para prokurori konstaton paligjshmëri dhe më pas nxjerr përgjegjësit”, u shpreh ai.
Drejtuesi i SPAK-ut, është shprehur se po hetohet dhe çështja e Ervis Martinajt, por në lidhje me dëshminë e efektivit të arrestuar si truprojë e Martinajt, Jeton Lami, nuk ka asnjë të re.
“Ça bashkëpunimi të kërkojmë me prokurorinë e Kurbinit, ne e kemi në hetim, në kuadër të hetimit, ne kemi informacionet tona. Jeton Lami ka preferuar të heshtë dhe të mos japë deklarime. E para ngjarjen e ‘Don Boskos’, nuk e ka në hetim Prokuroria e Posaçme. Unë jam prokuror dhe nuk mund të them se me episodin e ‘Don Boskos’, u ‘ngjall’ apo nuk u ‘ngjall’ Ervis Martinaj. Nga ana jonë janë ndërmarrë veprime hetimore, kemi sekuestruar pasuritë dhe kemi pistat tona edhe sa i përket hetimit të kësaj çështjeje. Janë dërguar aktet në gjykatë dhe dosja hetimore nga ana jonë”, ka thënë Dumani.
Altin Dumani, është shprehur gjithashtu se SPAK-u po kontribuon në zbardhjen e atentatit ndaj “Top Channel”.
“Që në orët e para të mëngjesit, kam kontaktuar në telefon drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. I kam ofruar mbështetjen e plotë të strukturës së posaçme. Më ka thënë se po kryeheshin veprimet e para hetimore. Kam vendosur të dërgoj në analizën e bërë në drejtorinë e policisë, një prokuror dhe oficer të policisë gjyqësore. Megjithëse është çështje në kompetencë të prokurorisë së Tiranës, edhe ne jemi aty, po bëjmë veprimet tona, dhe nëse do dalë diçka, do kemi veprime”, theksoi Dumani.
Kreu i SPAK-ut preku dhe një tjetër çështje të nxehtë si ajo e Stela Gugalles, bashkëjetueses së Mirel Mërtirit.
Ai u shpreh se ata nuk kanë një përgjigje nga autoritetet austriake, por thjesht kanë një proces ekstradimi dhe se SPAK-u nuk di asgjë për vijimin e procesit, sepse janë autoritete të tjera ato që merren me procedurat.
“Nuk kemi përgjigje zyrtare nga autoritetet austriake. Thjesht dimë që ka një proces ekstradimi, por nuk dimë për vijimin e tij, pasi janë autoritete të tjera që merren me procedurat”, tha Dumani.
Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, tha se SPAK-u nuk ka një informacion se Adriatik Llalla ka përfituar azil politik dhe se për të procesi i ekstradimit është në vijimësi.
“Adriatik Llalla ka përfituar nga Gjykata e Apelit në Romë marrjen e pasaportës me qëllim lëvizjen brenda territorit italian. Procesi vijon në Itali për ekstradimin e ish-kryeprokurorit të Shqipërisë, Adriatik Llalla”, u shpreh Dumani në komunikimin me gazetarët.
Për të gjitha ngjarjet e pyetura nga gazetarët, kreu i SPAK-ut ka “kyçur gojën” duke iu përgjigjur shkurt gazetarëve si dhe duke mos dhënë shumë detaje mbi zbardhjen e tyre.