Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Kostas Karamanlis, njoftoi dorëheqjen nga posti, pas aksidentit tragjik në Larisa ku u shënuan mbi 40 viktima.
Siç shprehet ai në deklaratën e tij, dorëheqja e tij ishte diçka që ai e ndjente si detyrë “si një shenjë e vogël respekti për kujtimin e njerëzve që u larguan kaq padrejtësisht dhe duke marrë përgjegjësinë për gabimet e përjetshme të shtetit dhe sistemit politik grek”.
Deklarata e Ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit z. Kostas Karamanlis
“Sapo jam kthyer nga skena e tragjedisë së trenit në Tempe. Dhimbja është e papërshkrueshme. Është fakt që hekurudhën greke e kemi marrë në një gjendje që nuk i përshtatet shekullit të 21-të. Në këto 3.5 vite kemi bërë të gjitha përpjekjet për ta përmirësuar këtë realitet. Fatkeqësisht, këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për të parandaluar një aksident të tillë. Dhe kjo është shumë e rëndë për të gjithë ne dhe për mua personalisht.
Kur ndodh diçka kaq tragjike, nuk është e mundur të vazhdohet sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Unë kam disa vite që jam në politikë, por e konsideroj element të domosdoshëm të demokracisë sonë që qytetarët e vendit tonë t’i besojnë sistemit politik. Kjo quhet përgjegjësi politike.
Për këtë arsye jap dorëheqjen nga posti i ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit”, deklaroi ai.
Numri i viktimave nga përplasja e dy trenave në Greqi tani ka shkuar në 40, ndërsa raportohet për dhjetëra të plagosur.
Mes të plagosurve u raportuan edhe fëmijë të moshave 6-7 vjeç. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, aksidenti hekurudhor ka ndodhur në hyrje të luginës së Tempes, ku dy trenat janë përplasur me njëri-tjetrin.
Dhjetëra oficerë policie dhe 40 zjarrfikës morën pjesë në operacionet e shpëtimit.
Rreth 30 autoambulanca ishin gjithashtu në vend. Dy spitale në zonën e Larisës u hapën për të akomoduar të plagosurit, 25 prej të cilëve thuhet se janë në gjendje të rëndë.
Mes të plagosurve në tragjedinë në Greqi ka edhe shqiptarë, ndërsa flitet edhe për një të ri të zhdukur.
Ministria e Jashtme bën me dije se 5 persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në kushte spitalore.
“Bazuar në komunikimin e fundit që ambasada dhe konsullata shqiptare në Greqi kanë patur me autoritetet greke, deri më tani nuk ka informacion për shtetas shqiptarë në radhët e viktimave të aksidentit hekurudhor. Po vijohet me identifikimin e tyre. 5 persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur, jashtë rrezikut për jetën e po trajtohen në kushte spitalore”.