Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria është shumë më e pasur se Zvicra, por vendet nuk dallohen nga ajo që kanë, por nga ajo që dinë.
“Ne dimë. Çështja është si ne këtë dije ta ekspozojmë për shoqërinë dhe ta kthejmë në një dije që i shërben vendit, duke qëndruar mënjanë nga rrjedhat e turbullta kaotike të së përditshmes së vendit. Shumë njerëz thonë ne kemi ujë, ne kemi diell, ne kemi naftë, ne kemi minerale, ne kemi pyje, male. Ne duhet të jemi si Zvicra, sepse ne jemi shumë të pasur, mirëpo vendet nuk dallohen nga ajo që kanë, por nga ajo që dinë. Zvicra nuk ka sa ne, por Zvicra di më shumë se ne. Nëse shohim investimet në dije dhe shkencë krahasuar me të ardhurat do të shohim që sa më shumë është investuar në dije dhe shkencë aq më shumë janë rritur të ardhurat. Izraeli nuk ka ujë, por është vendi nr. 1 në planet për ujin. Ka ekselencën e furnizimit me ujë pa pasur ujë fare, sepse ka dijen. Ne kemi ujë më shumë se të gjithë pas Norvegjisë dhe problemin kryesor kemi ujin. Pse? Për shkak të një trashëgimie të egër si rezultat i padijes”, tha Rama.