Delina Ibrahimaj, ministrja e Ekonomisë dhe Financave ka deklaruar ditën e sotme gjatë një konsultimi për amnistinë fiskale se projektligji do të krijojë kushtet për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme.
Ajo tha se Shqipëria i ka të gjitha kushtet ta ndërmarrë një nismë të tillë dhe të bëhet tani në mënyrë që të eliminohet evazioni fiskal në të ardhmen.
“Jemi në kushtet që ne kemi krijuar premisat për të pasur një amnisti të tillë për të lejuar të gjithë taksapaguesit dhe individët që të legalizojnë atë para informale që kanë patur në shkuarën dhe për të parandaluar që kjo të ndodhë në të ardhmen.
Ky është një projektligj shumë i rëndësishëm, që do të krijojë transparencë dhe do të krijojë kushtet për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, ashtu siç ne kemi bërë me një sërë paketash të rëndësishme në kuadër të anëtarësimit në bashkimin Evropian”,-tha ajo ndër të tjera.