Shqiptarët paguajnë karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe renditen në 20 vendet e para në botë, për shkaktë taksave të larta që qeveria mbledh te nafta, benzina dhe gazi.
Çmimi i karburanteve është shtrenjtuar edhe më tepër për shkak të luftës në Ukrainë dhe pasigurisë në tregje, por edhe kur ulet në bursa, sërish ne jemi të privuar nga një çmim më i përshtatshëm.
Kështu, prej 48 orësh, çmimi i një fuçie naftë është nën 100 dollarë në bursa, por u bënë disa ditë që Bordi i Transparencës nuk është mbledhur për të vendosur një çmim më të ulët të naftës dhe benzinës për shqiptarët.
Aktualisht, shqiptarët paguajnë një çmim 240 lekë/ litër për naftën dhe 233 lekë/ litër për benzinën. Këto janë çmimet e datës 8 korrik, kur një fuçi naftë shitej me 108 dollar, ndërkohë sot, një fuçi naftë në bursa është 97-98 dollar dhe ne sërish vijojmë të paguajmë sikur të ishte ndjeshëm mbi 100 USD.
Me sa duket bordi ka marrë pushimet ose po lejon grosistët të sigurojnë fitime ekstra në kurriz të shqiptarëve.