Teknologjia digjitale avancon çdo ditë. Instagram tanimë ju jep mundësinë që të vendosni 3 postimet tuaja të preferuara në krye të profilit tuaj në këtë rrjet social, ose siç ndryshe quhet “pin to top”.
Kompania thotë se funksioni i ri do t’u japë krijuesve më shumë mundësi për t’u shprehur në profilet e tyre.
Njoftimi zyrtar vjen pasi Instagram konfirmoi për TechCrunch në muajin Prill se po testonte këtë risi. Ju mund të vendosni në krye të proflit tuaj fotot, video apo “reels”.
“Profili juaj është hapësira juaj, kështu që ne po kërkojmë më shumë mënyra për t’ju dhënë kontroll mbi atë”, tha kreu i Instagramit Adam Mosseri në një video të postuar në kanalet e tij sociale në lidhje me funksionin e ri.
Mundësia për të vendosur një postim specifik në profilin tuaj është një veçori e mirëpritur nga përdoruesit të cilët duan të nxjerrin në pah postimet e tyre që mund t’i kenë realizuar para shumë kohësh.
Kompania prezantoi gjithashtu disa mjete më kreative dhe opsione të tjera për t’i bërë “reels” më tërheqës.