Policia Kufitare intensifikon kontrollet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetase.
Sekuestrohen 8 pako me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, pas verifikimit të të dhënave në sistemin TIMS, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë pasagjerët e autobusit të linjës Berat-Athinë. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetases Elira Varfi, e cila udhëtonte si pasagjere në këtë autobus, është bërë e mundur gjetja e 10 pakove me lëndë të dyshuar narkotike, në 8 prej të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike heroinë(me peshë totale 4 kg e 160 gramë), ndërsa 2 pako kishin lëndë të dyshuar narkotike kokainë (me peshë totale 780 gramë.)
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetases, Elira Varfi 38 vjeçe, banuese në Fier.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.