Bordi i Transparencës ka njoftuar çmimet e reja tavan për produktet bazë ushqimore.
Ja njoftimi:
Vendimi i Bordit të Transparencës së produkteve të shportës datë 29.4.2022. Bordi i Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me shumicë/pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, i ngritur në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, në mbledhjen e datës 29 Prill, vendosi miratimin e listës së produkteve ushqimore bazë që do të monitorohen, si më poshtë:
Miell Vaj luledielli Sheqer Oriz kokërrgjatë Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë këto produkte.
Gjithashtu Bordi i Transparencës vendosi miratimin e marzheve që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e cmimeve ndërkombëtare.
Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) miratohen marzhet si më poshtë: a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të orizit kokërrgjatë, i cili paketohet në vend nga distributori, është 11.7 % mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 3.8 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:
a) Marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.8 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
b) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.3 % mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 12 lekë/kg.
c) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet si më poshtë:
a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 10.3 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër.
b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.6 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.
Për miellin masiv miratohen marzhet si më poshtë:
a) Marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33.9 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 19 lekë/kg.
b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 5.3 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Pas analizimit të këtyre marzheve Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se:
109 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg) 121 lekë/kg për sheqerin (1 kg) 381 lekë/litër për vajin e lulediellit 79 lekë/kg për miellin masiv.