Këtë të diel, shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke përkujtuar Kongresin e Manastirit 1908. Kjo ditë nderon historinë, identitetin dhe pasurinë kulturore të gjuhës shqipe, duke promovuar përdorimin dhe ruajtjen e saj tek brezat e rinj.
Çdo vit, më 22 nëntor, Shqipëria dhe komunitetet shqiptare kudo në botë festojnë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një datë që nderon trashëgiminë kulturore dhe identitetin e gjuhës sonë kombëtare.
Prej vitit 2024, 22 nëntori është shpallur festë zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Ky status u bë i mundur përmes ligjit nr. 17/2024, datë 15 shkurt 2024, i cili shtoi Ditën e Alfabetit në listën e festave zyrtare të vendit. Kështu, kjo datë mori një rëndësi edhe më të veçantë, duke u kthyer në një ditë përkujtimi dhe vlerësimi kombëtar për gjuhën shqipe.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe përkujton Kongresin e Manastirit, i cili u zhvillua më 14-22 nëntor 1908 në qytetin e Manastirit (sot Bitola, Maqedonia e Veriut). Ky kongres historik vendosi njësimin e alfabetit të shqipes, duke zgjedhur alfabetin latin si bazë dhe duke vendosur themelet për zhvillimin e arsimit dhe letërsisë shqiptare.




