Situata në Vlorë po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese. Pas rasteve të fëmijëve të shtruar në Spitalin Rajonal me simptoma diarreje, tashmë raportohet edhe për shtim të pacientëve të rritur.
Ndërkohë, analizat e fundit të ujit kanë evidentuar përmbajtje fekale, duke ngritur alarmin për sigurinë e ujit të pijshëm në qytet.
Sipas informacioneve të siguruara për A2 CNN, në depozitën e ujit të pijshëm të një kopshti në qytet, analizat kanë evidentuar praninë e amoniakut dhe mungesën e klorit.
Pas konsumimit të ujit në këtë institucion, fëmijët kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe janë shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Analizat e ditës së sotme kanë evidentuar përmbajtje fekale në mostrat e ujit të kopshtit nr. 10, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e furnizimit me ujë. Prania e bakterit (E. coli), në ujin e pijshëm është tregues i ndotjes fekale dhe përbën një rrezik potencial për shëndetin publik.
Ndërkohë, gjendja në Spitalin Rajonal të Vlorës paraqitet gjithnjë e më shqetësuese.
Përveç fëmijëve që janë paraqitur me simptoma diarreje, raportohet edhe për shtim të pacientëve të rritur me probleme të ngjashme shëndetësore.
Ndërkaq sipas informacionit të përcjellë, NJVKSH Vlorë ka kryer analiza dhe monitorim të rrjetit të ujësjellësit në qytet çdo dy orë.




