Berisha thirrje partive të opozitës: Të bashkohemi pavarësisht nga kundërshtitë

Jugulajm.net
2 Min Read

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe forcave opozitare të bashkohen në mbështetje të protestës së studentëve, pavarësisht dallimeve dhe kundërshtive politike.

Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi protestën e studentëve si një betejë kundër asaj që ai e quajti të keqen më të madhe të vendit, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.

“Të bashkohemi pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kemi njëri me tjetrin. Pavarësisht nga dallimet që mund të kemi njëri me tjetrin. Të bashkohemi me studentët, të cilët po zhvillojnë një betejë epike kundër të keqes më të madhe të këtij kombi, që e ka emrin Edi Rama”, deklaroi Berisha.

Ai garantoi se Partia Demokratike do të mbështesë plotësisht studentët dhe revoltën e tyre, ndërsa ftoi çdo qytetar të angazhohet në këtë lëvizje.

Kreu i PD-së kërkoi gjithashtu bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm të lëvizjes kundër qeverisë.

Berisha tha se synimi duhet të jetë largimi i asaj që ai e quajti “regjimi i narkoshtetit” dhe krijimi i një qeverie teknike ose kujdestare, e cila sipas tij, do të përgatisë kuadrin ligjor dhe kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë duhet të jetë kurora e kësaj lëvizjeje të madhe të paparë që po zhvillohet në Shqipëri. Për t’u ndarë nga regjimi i narkoshtetit, për të proceduar me një qeveri që përgatit teknike apo kujdestare, si të doni ta quajmë, që përgatit kuadrin ligjor dhe krijon të gjitha kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Berisha.

Share This Article