Reforma bëjmë pa fund, por hajrin nuk ia shohim kurrë

Jugulajm.net
5 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Kemi tridhjetë e pesë vjet që bëjmë reforma pa fund, por ende nuk po shohim rezultatet që meritojnë vendi, shqiptarët dhe Shqipëria. Dhe, me sa duket, historia nuk ka përfunduar këtu. Prisni, se ndoshta nuk keni parë asgjë akoma!
Tashmë, duam apo nuk duam, na pëlqen apo nuk na pëlqen, Shqipëria ka një ndarje të re territoriale. Një gjë mund ta themi me siguri: Kjo nuk është ndarja territoriale e duhur, aq më pak më e mira për qytetarët dhe Shqipërinë. Por nuk mund të themi as se është më e keqja e mundshme, sepse, me këtë klasë politike që kemi, gjithmonë mund të presim keq e më keq.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi ynë më i madh: Më e keqja nuk është domosdoshmërisht ndarja territoriale, por klasa politike dhe loja e saj me veprimet e mosveprimet. Prej tridhjetë e pesë vjetësh bëjmë reforma, por sa herë që kthejmë kokën pas, lind e njëjta pyetje: ku është hajri i tyre?

Bëmë reformën e pronës me të famshmin Ligj 7501 dhe, pas kaq shumë vitesh, ende përballemi me pasojat dhe padrejtësitë që lidhen me zbatimin e tij.
Bëmë Kushtetutën, por ende përpiqemi të ndërtojmë shtetin që qytetarët meritojnë.

Bëmë reformën në drejtësi, por qytetari vazhdon të kërkojë drejtësi, ndërsa besimi te institucionet mbetet një sfidë e madhe.
Bëmë reforma në arsim, shtuam universitete dhe diploma, por sot përballemi me shkolla që po mbeten pa fëmijë dhe me shqetësime serioze për cilësinë e dijes dhe formimit të të diplomuarve.

Bëmë reforma e ndryshime pa fund. Por, a bëmë ndonjëherë një reformë që ta vendoste Shqipërinë, interesin publik dhe qytetarin në krye të gjithçkaje?

Kemi ndryshuar ligje, struktura, emërtime e kufij administrativë. Por a kemi ndryshuar modelin se si qeveriset ky vend?
Edhe reforma e fundit territoriale nuk duhet gjykuar vetëm nga rezultati i votimit në Kuvend, por edhe nga qëndrimet, veprimet dhe përgjegjësitë politike të forcave që u përfshinë në këtë proces.

PS-ja e votoi reformën dhe, për këtë, mban përgjegjësinë e saj politike. Por analiza nuk duhet të ndalet këtu. Duhet parë edhe qëndrimi i opozitës, roli i saj dhe përgjegjësia që i takon për mënyrën se si u zhvillua procesi.

Prandaj, nuk duhet të gjykojmë vetëm Edi Ramën apo Partinë Socialiste. Duhet të gjykojmë të gjithë klasën politike, secilin sipas rolit dhe përgjegjësisë së vet.
Sepse nuk mjafton të shpallesh kundër një reforme në publik. Duhet të shohim edhe çfarë bën, çfarë nuk bën dhe çfarë rezultati prodhojnë veprimet apo mosveprimet e tua.

Kështu është sjellë klasa politike për tridhjetë e pesë vjet. Kështu sillet edhe sot. Ndryshojnë emrat, qeveritë, aleancat dhe krahët politikë, por shumë pak ndryshon mënyra se si ushtrohet pushteti dhe si shmanget përgjegjësia.

Në fund, shpesh ndryshojnë krahët, por jo loja. Ndryshojnë aktorët, por jo skenari. Ndërsa qytetari mbetet përsëri spektatori që paguan biletën.
Por, a mbaron përgjegjësia këtu? Te politikanët?
Jo! Sepse edhe ne, qytetarët, duhet të kemi kurajën të shohim veten në pasqyrë.
Ne votojmë. Ne i mbajmë në pushtet ose i largojmë prej tij. Shpesh zemërohemi me politikanët, i kritikojmë, i mallkojmë, por kur vjen momenti për të kërkuar llogari me votë, jo gjithmonë veprojmë në përputhje me ato që themi.

Atëherë, mos vallë një pjesë e përgjegjësisë për këtë realitet është edhe e jona? Mos vallë, duke pranuar vazhdimisht të njëjtën mënyrë të të bërit politikë, u kemi dhënë politikanëve mesazhin se mund të vazhdojnë të sillen po njësoj?

Nuk mund të kërkojmë një politikë më të mirë, nëse nuk jemi të gatshëm të vlerësojmë ndryshe, të zgjedhim me përgjegjësi dhe të ndëshkojmë me votë ata që nuk përmbushin detyrimet e tyre.

Politikanët janë përgjegjës për mënyrën si qeverisin, por qytetarët kanë përgjegjësinë e tyre për mënyrën si i mbajnë ose i largojnë nga pushteti.
Ndoshta, pra, reforma më e vështirë që na duhet nuk është thjesht ndryshimi i ndarjes territoriale. Është ndryshimi i marrëdhënies mes pushtetit, përgjegjësisë dhe qytetarit.
Përndryshe, do të vazhdojmë të bëjmë reforma, të numërojmë dështimet dhe të presim reformën e radhës, duke shpresuar se kësaj here do të jetë ndryshe.

Dhe, pas disa vitesh, do të gjendemi përsëri përballë së njëjtës pyetje: ku është hajri i reformës?
Sepse, nëse ne nuk ndryshojmë mënyrën si zgjedhim, vlerësojmë dhe ndëshkojmë politikën, pse presim që politika të ndryshojë mënyrën si sillet me ne?

Share This Article