Kuvendi miraton Reformën Territoriale me 85 vota

Jugulajm.net
2 Min Read

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 85 vota reformën e re administrativo-territoriale, e propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Reforma sjell riorganizimin e 15 bashkive, të cilat do të bashkohen me njësi të tjera vendore.

Sipas ndarjes së re, Fushë-Arrëzi do t’i bashkohet Pukës, Klosi Matit dhe Rrogozhina Kavajës. Ndërkohë, Dimal dhe Poliçan do të përfshihen në bashkinë e Beratit, Patosi në Fier dhe Divjaka në Lushnjë. Në jug të vendit, Selenica do t’i bashkohet Vlorës, Maliqi Korçës, Këlcyra Përmetit, Memaliaj Tepelenës dhe Libohova Gjirokastrës.

Ndryshime parashikohen edhe në qarkun e Elbasanit, ku Cërriku dhe Belshi do të bashkohen me Elbasanin, ndërsa Përrenjasi do të jetë pjesë e bashkisë së Librazhdit. Struktura e re administrative do të ruajë 12 qarqet e vendit, ndërsa territori do të organizohet në 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.

Sipas parashikimeve, zgjedhjet vendore të vitit 2027 pritet të zhvillohen mbi bazën e hartës së re territoriale. Miratimi i reformës u shoqërua me tensione të forta në sallën e Kuvendit.

Deputetët e Partisë Demokratike reaguan ashpër gjatë seancës, duke hedhur sende drejt kryeministrit Edi Rama, i cili mbërriti në sallë pak çaste përpara nisjes së votimit.

Share This Article