Më 8 tetor, ditën e enjte kur në Kuvend pritet të hidhet për votim projektligji i Reformës Territoriale, partitë opozitare kanë rënë dakord që të mbajnë një protestë kombëtare.
Propozimin e bëri deputeti i PL, Tedi Blushi i cili tha se opozita duhet t’u prijë protestave dhe jo vetëm të presë nga qytetarët.
“Opozita nuk duhet më të delegojë protestën vetëm te qytetarët, duhet t’i prijë protestave, Seanca e thirrur të enjten është një mundësi që të gjithë shqiptarët të mblidhen atë ditë para Kuvendit për t’i treguar këtij kryeministri se vetëm shqiptarët janë të zotët e këtij vendi. E enjtja është një mundësi që të gjithë shqiptarët të mbrojnë kulturën dhe historinë e trevave që përfaqësojnë. E enjtja të jetë protestë kombëtare, sepse kjo është hartë antikombëtare. Propozimi im është që të enjten të thërrasim protestë kombëtare”- tha Blushi.
Ky propozim u miratua nga Berisha i cili shprehu dakordësinë, por ende nuk dihet sesa do të ketë angazhim për protestë.
“Faleminderit për komentin dhe propozimin, jam plotësisht dakord”- u përgjigj Berisha.




