Një 49-vjeçar që vuante dënimin në burgun e Reçit është gjetur i pajetë në ambientet e institucionit. Viktima është identifikuar si Agron Llapushi, i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij në vitin 2015.
Sipas të dhënave paraprake, Llapushi është gjetur i varur në ambientet e dusheve. Dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes janë duke u verifikuar nga autoritetet.
Llapushi ishte nga zona e Gramshit dhe po vuante një dënim prej 24 vitesh e 4 muaj burgim. Ai ishte arrestuar në prill të vitit 2015, pas vrasjes së bashkëshortes së tij, Alketa Llapushi.
Ngjarja për të cilën u dënua kishte ndodhur në Gramsh, ku 39-vjeçari vrau bashkëshorten pasi ishte kthyer nga emigrimi në Greqi.
Pas krimit, ai u dorëzua në polici dhe pranoi autorësinë. Në atë kohë, Prokuroria për Krime të Rënda kishte kërkuar burgim të përjetshëm, por gjykata vendosi dënimin me 24 vite e 4 muaj burgim për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Sipas të dhënave të siguruara, gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, 49-vjeçari kishte pasur kontakte shumë të rralla me familjarët.
Ai rezulton të ketë marrë vetëm dy vizita, në vitet 2023 dhe 2025. Llapushi dhe bashkëshortja e tij ishin prindër të dy fëmijëve, të cilët në momentin e krimit ishin ende të mitur.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes dhe rrethanat që çuan në vdekjen e të dënuarit.




