Sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka ka zbritur në jug të vendit për të marrë kontakt me bazën demokrate.
Pasi ka mbledhur në Tepelenë drejtuesit e degëve të PD në jug të vendit, zoti Noka ka zhvilluar një takim të zgjeruar me strukturat e PD së Gjirokastrës Libohovës e Dropullit në kuadër sikurse tha ai, të turit që ka nisur në mbarë vendin për ripërtëritjen e strukturave të partisë, organizimin e brendshëm të saj dhe analizimin e situatës në vend.
Sipas zotit Noka, synimi i PD është mjaft i qartë për çdokënd në këtë vend: qeveri teknike për të përgatirur zgjedhjet e lira e të ndershme në kushtet e skandaleve të mëdha që kanë plasur në vend dhe me protagonist kryesor Edi Ramën dhe shpurrën e tij drejtuese. Një prej direktivave të qarta organizuese, janë dhe përgatitjet e strukturave të PD për zgjedhjet vendore tha zoti Noka duke vlerësuar se situata në vend është tejet dramatike dhe kësisoj i takon PD të ngrihet në lartësinë e detyrës për t’i bërë ballë kësaj gjendjeje e për t’i dhënë zgjidhje vendit pasi Edi Rama dhe qeveria e tij janë kthyer në problem të madh për vendin.
Në takimin e zhvilluar në selinë e PD në Gjirokastër, kanë asistuar drejtuesit vendorë të PD si kryetari i degës së PD Gjirokastër Eri Shehaj dhe dy kryetarët e PD së Libohovës e Dropullit. Njëkohësisht asistonte dhe deputeti i PD për Qarkun e Gjirokastrës Prof.Dr Tritan Shehu.



