Një 51-vjeçar me origjinë shqiptare është gjetur i pajetë gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes në një kantier ndërtimi në Padova të Italisë.
Viktima është identifikuar si Altin Kokici, pronar i një kompanie të specializuar në punime ndërtimi me seli në Sossano, në provincën e Vicenzës.
Sipas të dhënave paraprake, 51-vjeçari dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit të ndërtesës ku po kryheshin punime rikonstruksioni. Rënia dyshohet se ka rezultuar fatale.
Alarmi u dha nga familjarët e Kokicit, pasi ai nuk kishte dhënë më asnjë lajm që prej orëve të para të pasdites. Duke përdorur gjeolokalizimin e telefonit celular, ata vunë re se pajisja e tij vazhdonte të ndodhej në zonën e kantierit dhe njoftuan autoritetet.
Dyshimet u shtuan edhe nga fakti se furgoni i 51-vjeçarit ndodhej ende i parkuar pranë ndërtesës, ndërsa pjesa e ngarkesës kishte mbetur e hapur.
Efektivët e policisë së Padovës hynë gjatë natës në kantier për ta kërkuar. Pasi telefonuan numrin e tij, zilja e celularit i orientoi drejt hapësirës së ashensorit. Aty gjetën trupin e pajetë të shqiptarit.
Në vendngjarje mbërritën gjithashtu ekipet e emergjencës mjekësore dhe zjarrfikësit, por për 51-vjeçarin nuk kishte më asgjë për të bërë.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar rrethanat në të cilat Altin Kokici humbi jetën.




