Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Lawton, ka paraqitur para Nënkomitetit për Evropën të Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve qasjen e administratës së Presidentit Donald Trump ndaj Ballkanit Perëndimor.
Në deklaratën e tij, Lawton nënvizoi se politika amerikane për rajonin po zhvendoset drejt një qasjeje më pragmatike, me fokus te stabiliteti, interesat ekonomike amerikane dhe siguria, ndërsa Uashingtoni nuk synon më ndërhyrje pa afat për objektiva të papërcaktuara.
“Vitin e kaluar, në përkujtimin e 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit, Zëvendëssekretari Landau e bëri të qartë se epoka e ndërtimit të kombeve nga jashtë ka përfunduar. Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë mjete të pakufizuara për objektiva të papërcaktuara, të pasigurta dhe jorealiste”, deklaroi Lawton.
Sipas tij, strategjia amerikane në Ballkan mbështetet në tri shtylla: ruajtjen e stabilitetit, zgjerimin e mundësive për kompanitë amerikane dhe përballjen me kërcënimet e sigurisë.
Një prej prioriteteve kryesore është lufta kundër rrjeteve transnacionale të krimit të organizuar. Lawton tha se SHBA do të bashkëpunojë me vendet e rajonit për të goditur organizatat kriminale ballkanike që, sipas tij, kanë lidhje të drejtpërdrejta me kartele të drogës në Hemisferën Perëndimore.
“Shtylla e tretë është bashkëpunimi me partnerët për t’iu kundërvënë kërcënimeve, përfshirë organizatat kriminale transnacionale ballkanike që bashkëpunojnë drejtpërdrejt me kartelet e Hemisferës Perëndimore që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara”, tha diplomati amerikan.
Shqipëria në fokus
Në dëshminë e tij, Lawton iu referua në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipërisë, duke konfirmuar bashkëpunimin me Tiranën në luftën kundër organizatave kriminale dhe në fushën e mbrojtjes.
“Ne po punojmë ngushtë me aleatin tonë të NATO-s, Shqipërinë, për të goditur organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar qasjen e kompanive amerikane në treg”, u shpreh ai.
Lawton përmendi gjithashtu një hua të finalizuar së fundmi në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak, e cila, sipas tij, do të ndihmojë Shqipërinë të përmbushë angazhimet e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes dhe të rrisë blerjen e pajisjeve të prodhuara në SHBA.




