Në intervistën për gazetaren Rudina Xhunga, kryeministri Edi Rama rrëfeu dy rastet kur është rrahur gjatë jetës së tij: Një herë pas një ndeshjeje basketbolli dhe herën e dytë në sulmin e rëndë ndaj tij në janar të vitit 1997. Për këtë të fundit, Rama zbuloi se e njeh një prej dy personave që e sulmuan.
Pjesë nga intervista
Rudina Xhunga: Disa nga kundërshtarët tuaj, personazhe të politikës, i dëgjoj herë pas here që ju kujtojnë fëmijërinë dhe tregojnë se si ju kanë rrahur kur ishit fëmijë. Dhe me mendjen time kam menduar: ndoshta keni qenë një fëmijë i bullizuar dhe këta të fortët ju krijonin një lloj sharmi, frike. Sa është e vërtetë?
Edi Rama: Po, e kam dëgjuar dhe unë. Ata vijnë nga një komunitet politik, që ka një raport muskular me shoqërinë e me politikën, përkatësisht nga komuniteti i Partisë Demokratike të kahershme, që ishte një komunitet ku huri kishte fjalën e fundit, kur gjërat kishin nevojë që të vendoseshin në pikën e tyre përfundimtare, pra pikën mbi “i”. Në atë komunitet vinte huri. Dhe e vërteta është që, në fakt, unë në fëmijëri kam qenë jashtëzakonisht rebel. Thashë, nuk i pranoja kufijtë. Gjithmonë përpiqesha të thyeja çdo lloj kufiri, çdo lloj rregulli të mundshëm. Por i bullizuar, asnjëherë. Kam në jetën time, ose në historinë time, dy rrahje.
Rudina Xhunga: Ju kanë rrahur?
Edi Rama: Unë nuk kam rrahur, më kanë rrahur. Kjo është e vërteta.
Rudina Xhunga: Edi Paloka ju ka rrahur?
Edi Rama: Jo, ai është ekzekutor i Arben Imamit, jo imi. Dy rrahje. Njëra më ka ndodhur në dushet e Pallatit të Sportit “Partizani”, pas një ndeshjeje me Apoloninë e Fierit. Ishte një ndeshje e tensionuar dhe, duke qenë se unë edhe si lojtar isha nganjëherë provokator, provokimet në fushë dhe kundërprovokimet dhe atë tensionin që u krijua në fushë e pagova me një rrahje nga katër-pesë çuna, pak a shumë të gjatësisë time, me shpejtësi, pabesisht. Mora disa goditje dhe mbeta përtokë, në dysheme. Kjo ishte njëra.
Tjetra pastaj është rrahja që dihet botërisht, e janarit ’97, kur më bënë pritë te rruga që futej për te hyrja e shtëpisë dhe më lanë duke menduar që unë tanimë isha i vrarë.
Rudina Xhunga: Pse ju rrahën për t’ju vrarë?
Edi Rama: Ky është opinioni im edhe i kujtdo që ishte atë natë dëshmitar, por ky ishte opinioni edhe pastaj i mjekut që më pa në Francë. Edhe mjeku këtu, edhe mjeku në Francë, të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, thanë që më kishte shpëtuar lartësia, për shkak se goditjet, gjithsesi, janë më pak efektive kur je më lart sesa ai që të agreson. Edhe sporti, domethënë fiziku im…
Rudina Xhunga: Berisha e përmendi përsëri këtë rrahje dhe tha përsëri “krim pasioni”. Madje tha se ishte me një burrë. Sikur s’u sqarua deri në fund asnjëherë kjo.
Edi Rama: Ajo është një histori shumë e sqaruar, siç janë të sqaruara shumë histori që ajo gojë e shthurur, me të cilën nuk doja të merreshim sot, të them të drejtën, se kam kohë që nuk merrem fare, përveçse kur ma imponon periudha e fushatës elektorale, i riprodhon.
Tani është edhe përtej çdo kufiri moshor që mund të neglizhohet. Dhe është kaq e qartë saqë jo vetëm që nuk ka pasur lidhje me një krim pasioni dhe jo vetëm që unë nuk kam qenë me një burrë, por unë kam qenë me një vajzë me të cilën bashkëjetoja dhe me një shok, i cili jetonte në apartamentin tonë në atë kohë, sepse ishte nga Shkodra, vinte nga Shkodra. Ka qenë një krim i mandatuar nga goja e shthurur dhe një nga dy ekzekutorët është një njeri plotësisht i njohur për mua, pendesën e të cilit unë e kam pranuar duke bërë sikur s’kuptoja. Dhe i cili është ndarë nga jeta përpara disa kohësh, për një arsye shëndetësore.
Rudina Xhunga: Domethënë, personazhet janë të njohura?
Edi Rama: Njëri nga ata është plotësisht i njohur për mua. Dhe, e përsëris, pendesën e tij… Ai nuk ma ka rrëfyer krimin. Është penduar në një mënyrë tjetër, duke më treguar…
Rudina Xhunga: Duke treguar kush e dërgoi?
Edi Rama: Jo, jo. Nuk ma ka pranuar.
Rudina Xhunga: S’e pranoi?
Edi Rama: Jo, s’ma ka pranuar dhe as e kam pyetur.




