Ekipi i futbollit ”Luftëtari” i Gjirokastrës vijon të jetë aktiv në merkato dhe ka siguruar një përforcim me peshë për sezonin e ri.
Lancinet Sidibe është zyrtarisht pjesë e skuadrës gjirokastrite, duke u rikthyer në një ambient që tashmë e njeh mirë futbollin shqiptar.
Futbollisti 29-vjeçar nga Guinea vjen te ”Luftëtari” me një eksperiencë të konsiderueshme në kampionatet shqiptare, ku ndër vite ka qenë pjesë e disa prej skuadrave më të njohura të vendit.
Sidibe ka luajtur për ”Besëlidhjen”, ”Flamurtarin”, ”Teutën”, ”Tiranën” dhe ”Dinamon”, duke krijuar një profil të konsoliduar në futbollin shqiptar.
Padyshim, një nga pikat më të rëndësishme në karrierën e tij është eksperienca me ”Tiranën”, ku në sezonin 2019-2020 arriti të shpallet kampion i Shqipërisë.
Një eksperiencë e tillë pritet ti jape ”Luftëtarit”, jo vetëm alternativa dhe cilësi në fushën e lojës, por edhe eksperiencë në një skuadër që synon të ndërtojë një grup sa më konkurrues. Me afrimin e Sidibe, ”Luftëtari” shton një tjetër emër me eksperiencë në organikë, teksa po punojnë për të konsoliduar skuadrën dhe për të afruar futbollistë, që mund të bëjnë diferencën gjatë sezonit.
Lancinet Sidibe pritet të jetë një nga afrimet e rëndësishme të ”Luftëtarit” në këtë merkato, ndërsa tifozët bluzi presin që eksperienca e tij në futbollin shqiptar të shërbejë për objektivat e skuadrës.




