Tragjedia me 3 viktima në Florida, hapet GoFundMe për familjen shqiptare

Jugulajm.net
2 Min Read

Familja Manati, me origjinë nga Lushnja, ka hapur dyert e mortit pas tragjedisë së rëndë që i goditi në Jacksonville të Floridës. Tre fëmijë humbën jetën pasi banesa e familjes u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të 26 gushtit.

Viktimat janë dy binjakë 11-vjeçarë dhe një fëmijë vetëm 2 vjeç. Ndërkohë, prindërit dhe dy fëmijët e tjerë, një foshnjë 2-muajshe dhe një 9-vjeçar, arritën të dilnin nga banesa, por ndodhen në spital në gjendje kritike.

Zjarri përfshiu banesën në Ëindergate Drive, pranë Old St. Augustine Road, në zonën Mandarin të Jacksonville. Shërbimet zjarrfikëse u njoftuan rreth orës 05:13 dhe mbërritën në vendngjarje vetëm katër minuta më vonë.

Në momentin e mbërritjes, zjarrfikësit u përballën me flakë të mëdha në katin e parë dhe tym të dendur në katin e dytë të banesës.

Një dëshmitar ka treguar se një foshnjë dhe një i rritur u hodhën nga dritarja e katit të dytë, ndërsa persona që ndodheshin jashtë tentuan t’i kapnin dhe t’i shpëtonin.

Tre fëmijët e tjerë kishin mbetur brenda banesës. Gjatë kontrolleve, zjarrfikësit i gjetën pa shenja jete. Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 05:38.

Banesa e familjes Manati u shkatërrua plotësisht nga zjarri, ndërsa dëme u shkaktuan edhe në dy banesa të tjera pranë saj.

Në këto momente të vështira, familjarët dhe të afërmit kanë hapur një fushatë në GoFundMe, me synimin për të mbledhur 350 mijë dollarë për familjen dhe për përballimin e pasojave të tragjedisë.

Familja shqiptare po përballet me humbjen e tre fëmijëve, ndërsa lutjet vijojnë për shëndetin e prindërve dhe dy fëmijëve të mbijetuar, të cilët ndodhen ende në gjendje kritike.

Share This Article