Nga Fejzo Subashi
Sarnda, me ndërtime pa fund, plot me njerz dhe ngjarje që nuk i dëshiron këtkush. Ku jeni, sarandjotë? Nuk ka më keq se kur kurora e bukurisë së Shqipërisë nuk mbahet më nga pronarët e saj. Nuk më çudisin edhe pse nuk mund të mos më mërzisin ndodhitë, episodet dhe fatkeqësitë që dëgjojmë e shikojmë çdo ditë nga Saranda. Ajo që më çudit më shumë është diçka tjetër: Saranda sot është Sarandë, por pa sarandjotë.
Saranda i priti të gjithë. Të zinj e të bardhë, pa dallim feje, krahine apo prejardhjeje. I priti ata që erdhën për të jetuar, për të punuar, për të ndërtuar një jetë më të mirë. Dhe kjo nuk është e keqja. E keqja është se shumë prej atyre që erdhën nuk u mjaftuan vetëm duke shijuar bukurinë e Sarandës. Nuk pushtuan vetëm tokën. Pushtuan edhe qiellin e saj.
Morën hapësirat, bizneset, pronat, drejtimet. Dhe, pak nga pak, në jo pak raste, morën edhe pushtetin për të vendosur se çfarë do të bëhej me qytetin dhe gjithë Sarandën. Dhe sot kemi përfundimin përpara syve.
Një Sarandë që ka gjithçka për të qenë një nga qytetet më të bukura të Mesdheut, por që shpesh na bën të pyesim: ku është Saranda që njohëm? Ku është qyteti i brishtë, i qetë, njerëzor, që dikur kishte fytyrë dhe shpirt? Ku është Saranda që nuk kishte qoftë dhe një krim? Nuk është fjala për të ndarë njerëzit në “të ardhur” dhe “vendas”.
Saranda ka qenë dhe duhet të mbetet mikpritëse, mbi të gjitha me vlerat e mikëpritjes. Kjo është një nga vlerat e saj më të mëdha. Por mikpritja nuk do të thotë të humbasësh shtëpinë tënde.
Një qytet mund të rritet pa humbur identitetin. Mund të zhvillohet pa u pushtuar. Mund të pasurohet pa varfëruar shpirtin e tij.
Dhe këtu qëndron pyetja që duhet t’ua bëjmë jo vetëm sarandjotëve, por edhe vetes: Ku ishit kur Saranda ndryshoi? Ku ishit kur toka u bë mall? Ku ishit kur betonizimi filloi të zëvendësonte qytetin? Ku ishit kur bukuria e natyrës filloi të matej vetëm me metra katrorë dhe euro? Ku ishit kur Saranda nisi të humbiste atë që nuk blihet me para: identitetin Ndoshta sarandjotët nuk janë larguar të gjithë nga Saranda.
Ndoshta janë ende aty, por janë tërhequr. Janë lodhur. Janë dorëzuar përballë një realiteti ku shpesh duket sikur vendos ai që ka më shumë para, më shumë lidhje dhe më shumë pushtet. Por një qytet pa zërin e bijve të vet rrezikon të mbetet vetëm një destinacion turistik.
Saranda nuk është vetëm det, diell, hotele dhe apartamente. Saranda është histori. Është kulturë. Është njerëz. Është kujtesë. Është familje. Është ai qytet që duhet t’u lihet edhe fëmijëve të sarandjotëve, jo vetëm investitorëve të radhës.
Prandaj sot pyetja nuk është vetëm: Çfarë po i bëhet Sarandës? Pyetja më e madhe është: Çfarë po bëjnë sarandjotët për Sarandën? Sepse nëse pronarët e shtëpisë heshtin, një ditë mund të zgjohen dhe të zbulojnë se shtëpia është ende aty, por nuk është më e tyre. Ku jeni, sarandjotë? Saranda po ju kërkon. Dhe ndoshta nuk ju kërkon për të luftuar kundër dikujt. Ju kërkon për të mos humbur Sarandën. Nuk kam frikë se Saranda do të ndryshojë. Kam frikë se do të ndryshojë aq shumë, sa një ditë sarandjotët do të kërkojnë Sarandën e tyre dhe nuk do ta gjejnë më.




