VIDEO-DRAMA/ Pensionisti invalid i braktisur nga fëmijët dhe gruaja, prej 2 vitesh strehohet në Spitalin e Përmetit

Jugulajm.net
4 Min Read

Ky është Durim Elmazi, invalidi i sapo pensionuar që prej 2 vite e gjysmë është bujtur në Spitalin e Përmetit.

Ashtu, të sakatosur në dhjetor të 2023, të afërmit e tij e kanë sjellë tek dera e Spitalit të Përmetit dhe janë larguar pa lënë gjurmë.

Durimi ndonëse është vendali, nga fshati Mokricë, nuk ka një strehë ku të fusë kokën. I divorcuar nga gruaja disa vite më parë kur ishte emigrant në Greqi, atij i amputojnë këmbën si pasojë e një gangrene të gjeneruar nga diabeti.

Për pasojë, të afërmit e tij, sigurisht as gruaja dhe as të bijat, e shoqërojnë për në Shqipëri dhe pasi e mbajnë disa javë në banesat e tyre, vendosën që t’i gjejnë një “strehë” përmes justifikimit të kompleksitetit të sëmundshmërisë, që ai mbart prej vitesh. Hyrje-daljet në spitalet e Përmetit dhe Gjirokastrës kanë qenë piknisja e strehimit fillestar të Durimit, i cili më në fund vendosi që të jetojë i vetëm në një dhomë në katin e dytë të Spitalit të Përmetit, qysh prej majit të vitit 2024.

Në një rrëfim prekës të tij për Jugulajm.net, Elmazi pranon se e kanë braktisur si e shoqja, por dhe dy vajzat, që sikurse thotë ai, kanë jetën e tyre në Greqi pasi kanë krijuar familjet e tyre.

Elmazi erret e gdhihet nën shërbimin spitalor, ku dhe trajtohet me të gjitha medikamentet e nevojshme, ndonëse nuk është për hospitalizim. Por spitali është e vertmja çati, ku ka futur kokën.
Kryeinfermierja e Spitalit të Përmetit, Antoneta Gaqo, shprehet se Durimit nuk i ka munguar asnjë përkujdesje, qoftë kjo medikamentale e higjenike, por dhe është trajtuar dhe me ushqim.

Lidhur me këtë rast shumë të rrallë, ku Spitali është shndërruar në vend bujtje për një të sëmurë, Jugulajm.net është interesuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Nga kjo ministri sqarohet se Durim Elmazi, ndodhet në Spitalin e Përmetit prej 27 majit 2024 në kujdesin e strukturave shëndetësore, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe në kushtet e një situate të vështirë sociale dhe familjare.

Gjatë kësaj periudhe, pacientit i është ofruar në vazhdimësi trajtim mjekësor, kujdes infermieror, asistencë për higjienën personale dhe mbështetje gjatë lëvizjes në ambientet e spitalit. Paralelisht, janë angazhuar strukturat sociale vendore dhe rajonale për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë. Në bashkëpunim me Bashkinë Përmet janë siguruar ndihmë ekonomike, mbështetje ushqimore dhe pagesa e kontributeve të nevojshme për pensionin. Më 11 gusht 2026 është kryer edhe aplikimi për lidhjen e pensionit.

Rasti i Durim Elmazit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është kompleks shëndetësor e social, i cili kërkon bashkërendim të vazhdueshëm mes strukturave shëndetësore, shërbimeve sociale dhe pushtetit vendor.

Kjo është dramë që përjetohet nga një i sakatosur, prind i dy vajzave që kurrë nuk e kanë kthyer kokën nga i jati i tyre, për t’i ofruar qoftë dhe një strehëz për të ngrysur vitet që i kanë ngelur.

Share This Article