Detaje të reja janë mësuar lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi Korçën pasditen e së shtunës, ku 20-vjeçari Joan Zuko mbeti i vrarë. I riu i cili prej rreth dy muajsh ishte shkëputur nga detyra si ushtarak në Forcat e Armatosura, u qëllua me kallashnikov nga shoku i tij i fëmijërisë, Kristjan Sterjo.
Sipas të dhënave të bëra publike deri më tani, mes dy të rinjve kishte një konflikt të hershëm i cili ishte i njohur edhe për autoritetet. Përplasja mes tyre, fillimisht fizike agaravoi më pas deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Por, sipas informacioneve të reja të mësuara nga rrethi shoqëror i dy të rinjve shkak i konfliktit mes tyre dyshohet të jetë bërë një vajzë. (Kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet dhe mbetet në kuadër të informacioneve që po verifikohen nga grupi hetimor.)
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen nr. 14 të qytetit juglindor, Korçës. Pas përplasjes Zuko tentoi të largohej dhe të fshihej brenda një pallati, por u ndoq nga autori. 20-vjeçari u qëllua pas shpine teksa ngjiste shkallët, ndërsa në dorë kishte një thikë. Plumbi e goditi në pjesën e poshtme të shpatullës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në katin e tretë të pallatit.
Pas krimit, policia dhe forcat RENEA nisën një operacion të gjerë për kapjen e autorit. Kërkimet u shtrinë në disa zona të qytetit, deri te varrezat, në drejtimin ku Sterjo ishte parë të largohej. Pas disa orësh ai u arrestua pranë banesës së tij.
Gjatë operacionit u gjet edhe arma e dyshuar e krimit. Ishte vetë Kristjan Sterjo ai që u tregoi uniformave blu vendin ku e kishte hedhur kallashnikovin.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe motivin që çoi në përplasjen fatale mes dy shokëve të fëmijërisë. Pista e konfliktit të lidhur me një vajzë mbetet për momentin një informacion i pakonfirmuar zyrtarisht, ndërsa pritet që hetimet të hedhin më shumë dritë mbi atë që ndodhi përpara të shtënave fatale




