Ekipet e futbollit të ”Bylis” i Ballshit dhe ”Luftëtari” i Gjirokastrës kanë barazuar 1-1 në testin miqësor të zhvilluar dje në Ballsh në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik.
Të dyja skuadrat vinin në këtë përballje pas fitoreve në ndeshjet e mëparshme, ku ”Bylis” që kishte mposhtur ”Lushnjën” dhe ”Luftëtari”, që vinte nga suksesi bindës 6-1 ndaj ”Butrintit”.
Takimi u zhvillua me ritëm të mirë dhe intensitet nga të dyja ekipet ndërsa trajnerët shfrytëzuan sfidën për të provuar skema të ndryshme taktike dhe për t’u dhënë minuta sa më shumë futbollistëve.
Të dyja skuadrat krijuan raste për shënim dhe në fund u mjaftuan me një barazim 1-1, rezultat që pasqyroi ekuilibrin e treguar në fushë.
Edhe pse ishte vetëm një ndeshje miqësore sfida dha sinjale pozitive për të dy ekipet, të cilat vijojnë përgatitjet me synimin për të qenë sa më të gatshme për fillimin e kampionatit.
”Bylisi” dhe ”Luftëtari” nuk do të presin gjatë për t’u përballur sërish, kjo pasi dy skuadrat kanë lënë një tjetër takim miqësor për ditën e mërkurë, këtë herë në Gjirokastër ku pritet një test i ri për të vlerësuar progresin e bërë gjatë fazës përgatitore dhe për të nxjerrë përfundimet e fundit përpara nisjes së sezonit zyrtar.




