VIDEO/Gjyshet shqiptare në edicionin VI të “FEST-NONA” në Përmet, ‘lumë’ turistësh vendas e të huaj

Jugulajm.net
2 Min Read

Festivali “Nona” apo siç e quajnë ndryshe “Festa e Gjysheve”, ka çelur siparin mbrëmjen e djeshme në qytetin e Përmetit.

Dhjetëra gjyshe nga e gjithë Shqipëria kanë shpalosur vlerat kulturore, familjare e tradicionale të zonave nga vijnë, përfshirë edhe armën më të fortë siç është kulinaria.

Gjyshet nga Vlora, Përmeti, Gjirokastra, Elbasani, Shkodra etj. me krenarinë e tyre karakteristike, kanë prezantuar punimet artizanale kryesisht në kulinari.

Ajo çka ka rënë në sy ka qenë numër rekord vizitorëve vendas, apo të huaj dhe ku sipas statistikave nga guidat turistike vendase, të gjitha njësitë akomoduese në qytet dhe jashtë tij, kanë qenë të prenotuara.

Sipas të dhënave nga organizatorët apo dhe Zyra e Turizmit në Përmet, në tre ditët e ‘Festivalit të Gjysheve’, Përmeti mendohet se do të ketë një pjesmarrje tej parashikimeve.

Kjo prezencë e madhe përkthehet me shtimin e të ardhurave në këtë qytet të bukur buzë Vjosës.

Atmosfera, siç duket edhe nga pamjet, mbrëmjen e djeshme ka qenë e jashtëzakonshme. Rrugët dhe qendra e qytetit ka qenë e mbushur plot e përplot me turistë vendas apo të huaj.

Gjyshet pjesmarrëse shqiptare kanë shpalosur atë që dinë më mirë, traditën e kulinarisë dhe produkteve artizanale.

Organizatorët e ‘Festës së Gjysheve’, shprehen se qëllimi i këtij aktiviteti tre ditor, veç të tjerave, është rigjallërimi i zonave të tjera të Shqipërisë veç Tiranës, që është metropoli i vendit.

Sipas organizatorit të këtij eventi, Bledi Mane, ky aktivitet përmes promovimit të traditave kulinare e artizanale, bën të mundur mbledhjen e mijëra turistëve vendas e të huaj për të shijuar gatimet tradicionale të gjysheve shqiptare si dhe punimeve artizanale.

Festivali “NONA” është unikal në llojin e vetë në Europë, ndërkohë që pretendohet që të shndërrohet në festivalin e gjysheve europiane.

Edicioni i “NONA” që ka nisur mbrëmjen e djeshme, është i gjashti që organizohet në Përmet.

Share This Article