Shqipëria po përballet me një tranzicion demografik të paprecedentë, ku ritmet e plakjes së popullsisë po tejkalojnë madje edhe parashikimet më pesimiste.
Të dhënat më të fundit zyrtare të INSTAT mbi ecurinë e moshës mediane dëshmojnë një përmbysje historike të strukturës moshore në vend, duke e zhvendosur Shqipërinë nga një prej kombeve me popullsinë më të re në Europë, në një shoqëri me moshë mediane sa mesatarja e Bashkimit Europian.Të dhënat e INSTAT tregojnë se mosha mediane e Shqiptarëve arriti në 45 vjeç në 1 janar 2026 (mosha mediane nënkupton ku 50% e popullsisë janë mbi këtë moshë dhe 50 % nën këtë moshë), duk u plakur me 7 muaj brenda një viti. Të dhënat për 2026 në Bashkimin Europian nuk janë kalkuluar ende, por në 1 janarin 2025 ky tregues ishte ishte 44.9 vjeç.
Nga viti 2014 në vitin 2026 mosha mediane e popullsisë shqiptare u rrit me 10.8 vite, ndërsa në BE gjatë kësaj periudhe ky tregues u rrit me vetëm 2.4 vite. Shqipëria u plak 4.5 herë më shpejt se BE-ja gjatë dekadës së fundit tregojnë të dhënat.
Ndërsa Bashkimi Europian ka ndjekur një ritëm plakjeje linear dhe të ngadaltë nga 2014, duke u rritur me mesatarisht 2 muaj në vit, ndërsa Shqipëria u rrit me 6 muaj çdo vit. Ky trend u përshpejtua veçanërisht në dy vitet e fundit, ku mosha mediane nga 43.4 vjeç në vitin 2024, arriti në 44.3 vjeç në vitin 2025 dhe së fundmi në vlerën rekord prej 45.0 vjeç në vitin 2026.
Kjo kurbë e mprehtë do të thotë se për herë të parë, gjysma e popullsisë shqiptare sot është mbi 45 vjeç, duke arritur apo edhe tejkaluar zyrtarisht nivelin e Bashkimit Europian me moshë mesatare 44.9 vjeç, me të dhënat e vitit 2025.
Ky fenomen i shpejtimit demografik shpjegohet me normën jashtëzakonisht të ulët të lindshmërisë dhe valëve të pandërprera të emigracionit që prekin kryesisht moshën e re dhe atë riprodhuese. Largimi i forcës vitale të punës ka lënë pas një strukturë popullsie që rëndohet me shpejtësi drejt moshave të thyera.




