Bashkitë në “revansh” për taksat, mbledhin dyfishin e tyre – 371 milionë euro në 6 muaj

Jugulajm.net
3 Min Read

Pushteti vendor po mbledh gjithnjë e më shumë të ardhura nga taksat dhe tarifat vendore që paguajnë qytetarët shqiptarë në secilën bashki.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në gjysmën e parë të vitit, 61 bashkitë në vend kanë mbledhur afro 34.8 miliardë leke apo rreth 371  milionë euro.

Në raport me 6 mujorin e 2025-ës të ardhurat e pushtetit lokal për periudhën janar-qershor 2026 regjistrohen me rritje prej rreth 15,7 miliardë lekë apo rreth 81.9% . Edhe në raport me planin, bashkitë kanë tejkaluar parashikimin me 68.2 %, duke arkëtuar afro 14.1 miliardë lekë më shumë.

Peshën më të madhe në rritje e  mbajnë të hyrat nga taksat lokale. Të kategorizuar sipas zërave, nga taksat lokale janë mbledhur rreth 28.9 miliardë lekë apo rreth 308 milionë euro, nga 14.4 miliardë lekë të mbledhura në janar-qershor 2025, duke u dyfishuar në raport me këtë periudhë. Ndërsa edhe në raport me planin, vihet re dyfishim i të ardhurave.

Nga taksa e pasurisë të ardhurat në 6 mujorin e parë 2026 janë realizuar në nivelin e 5.9 miliardë lekë apo rreth 63 milionë euro, me një rritje prej 1.2 miliardë lekësh apo 25.4 % krahasuar me vjet.

Në strukturën e të ardhurave nga taksat vendore mbizotëron kontributi i të ardhurave nga dy taksa kryesore, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja e cila zë 37 % të totalit, dhe të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore dhe truall), përfaqësojnë afro 18 % të totalit të të hyrave vendore.

Rritjen më të madhe në burimet e të ardhurave të veta të pushtetit vendor e ka taksa e ndikimit në infrastrukturë.  Bashkitë me rritjen më të madhe të të ardhurave nga

kjo taksë janë  Tirana, Vlora , Himara dhe Saranda, të cilat kanë dhe kërkesën më të lartë për ndërtime.

Rritja e fortë e të ardhurave nga kjo taksë reflekton dinamikën e lartë të investimeve në ndërtim, veçanërisht në zonat turistike dhe urbane.  Këto të ardhura krijojnë mundësi shtesë për bashkitë në përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e investime në infrastrukturën lokale.

Megjithatë të ardhurat e pushteti vendor, mbeten të varura në masë të madhe nga transfertat buxhetore të shtetit. Ky varësi është një tregues i pafavorshëm për buxhetin lokal, pasi autoritetet vendore shpesh nuk kanë mundësi të krijojnë burime të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e nevojshme lokale. Po ashtu, decentralizimi fiskal si raport i shpërndarjes së të ardhurave ndërmjet dy niveleve të qeverisjes vazhdon të mbetet akoma shumë i ulët.

Share This Article