Prokuroria e Gjirokastrës ka kërkuar dënimin me 30 vite burg për shtetasin Thoma Mastora, i akuzuar për vrasjen e çiftit të të moshuarve në fshatin Bodrishtë të Dropullit ne vitin 2024.Sipas Prokurorisë, Thoma Mastora akuzohet për vrasjen e bashkëshortëve Kosta dhe Kleoniqi Ilia .
Por si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ndodhi më 2 maj 2024 në fshatin Bodrishte, Bashkia Dropull, dhe tronditi gjithë vendin. Dy bashkëshortët e moshuar, Kosta Ilia, 84 vjeç, dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe, u gjetën të pajetë në banesën e tyre nga bashkëfshatarët. Kosta Ilia u gjet në oborrin e shtëpisë, ndërsa bashkëshortja brenda banesës, të dy me plagë në kokë dhe trup.
Fillimisht u dyshua për grabitje, por hetimet treguan se në banesë ndodheshin rreth 5 milionë lekë të reja, të cilat nuk ishin prekur.
Kjo bëri që policia ta përjashtonte motivin e vjedhjes. Pas disa ditësh hetime, policia arrestoi Thoma Mastoren, 69 vjeç, bashkëfshatar i viktimave , komshi. Sipas hetimeve, ai i kishte vrarë të moshuarit duke i goditur me sende të forta dhe prerëse. Policia deklaroi se motivi lidhej me konflikte të mëparshme dhe motive të dobëta, jo me grabitje. Gjatë kontrollit në banesën e Mastores u gjetën municion luftarak, një mjet prerës dhe prova të tjera. Ai rezultonte i dënuar më parë për vjedhje.
Njoftimi i Prokurorisë
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM GJIROKASTËR
Prokuroria Gjirokastër kërkon 30 vite burgim për shtetasin Th.M. për vrasjen e çiftit të të moshuarve në Dropull
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, në përfundim të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor kërkon 30 vite burg për shtetasin Th. M. i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.240, të vitit 2024, arritën në përfundimin se i pandehuri Th.M., është fajtor dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër në paraqitjen e diskutimit përfundimtar kërkon dënimin e tij me 30 vite burgim për vrasjen e çiftit të të moshuarve K.I. dhe K.I., në fshatin Bodrishtë, Dropull.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.




