Procesi i zbatimit të Ligjit të Faljes vijon nga Administrata Tatimore, me një numër në rritje të tatimpaguesve që përfitojnë nga fshirja automatike e detyrimeve.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Administrata Tatimore, deri tani 16,877 tatimpagues kanë përfituar nga kjo masë, ndërsa vlera e detyrimeve të fshira ose të shuara automatikisht ka arritur në 29.9 milionë euro.
Fshirja e detyrimeve po kryhet në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin e Faljes, me synim lehtësimin e barrës financiare për tatimpaguesit që plotësojnë kushtet ligjore.
Administrata Tatimore bën të ditur se procesi do të vijojë në mënyrë automatike, duke përfshirë të gjithë tatimpaguesit që përmbushin kriteret e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Sipas institucionit, kjo masë synon gjithashtu të mbështesë formalizimin e ekonomisë dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes administratës tatimore dhe tatimpaguesve.




