Ekipi i futbollit të Gjirokastrës, “Luftëtari”, pas rënies nga ‘Kategoria e Parë’ duket se ka mbledhur forcat për t’u rikthyer menjëherë në këtë kategori.
Përgatitjet sapo kanë nisur dhe stafi drejtues i ekipit është më i motivuar se kurrë për të formuat një skuadër të konsoliduar, duke iu përgjigjur sfidave të ardhshme me synim arritjen e objektivit.
Risia këtë sezon janë afrimet e bujshme që ka bërë “Luftëtari” nga ekipe të tjera, kjo falë ofertave të parezistueshme nga Bashkia e Gjirokastrës përmes kryebashkiakut Flamur Golemi.
Theksojmë se Bashkia Gjirokastër është pronarja e vetme me 100% të aksioneve të ekipit të futbollit “Luftëtari”.
Vlen të përmenden në këtë drejtim afrimi i lojtarit brazilian me tipare sulmuese Souza de Olivera Odaildo, i cili vjen nga ekipi i ‘Pogradecit’, apo dhe nënshkrimi i kontratës ditën e sotme i Saugli Almuçaj, që vjen nga ekipi i ‘Lushnjës’.
Jugulajm.net informohet se sot kanë rinovuar kontratën Zani, Diamanti, Ziaj, Ramadani, Culli, Beji, Tirso.
Ndërkohë që janë blerë nga ekipi i ‘Shirokës’, Elidon Dulaj dhe nga ‘Butrinti’, Xhiljardino Avduli.
Sot sikurse shikohen dhe nga pamjet e ofruara nga Jugulajm.net kanë nënshkruar kontrata lojtarët e rinj të ardhur, si dhe janë rinoviuar kontratat e gati 70% të kontigjentit, që ishte në dispozicion të trajnerit Neritan Novi, në katër ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar të ‘Kategorisë së Parë’.
Lojtarët e huaj që kanë pranuar të veshin fanelën blu-zi shprehen të motivuar për kameran e Jugulajm.net, se Luftetari do të realizojë objektivin e vet për t’u ringjitur në ‘Kategorinë e Parë’.
Ndërsa trajneri i palodhur i ‘Luftetarit’, Neritan Novi, shprehet pa dyshime se me kontigjentin e sapoformuar të ekipit, synimi dhe objektivat janë mëse të realizueshme.
Burime nga drejtuesit e Bashkisë, por edhe të drejtuesve të ekipit ‘Luftëtari’, bëjnë me dije se synimi përfundimtar është ngjitja e ekipit në elitën e futbollit shqiptar, në “Superligë”.



