Federica Woelk, asistente e Parlamentit Evropian ka publikuar një hartë me vitet që mund t’i duhen Shqipërisë dhe pesë vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Sipas progresionit të publikuar nga zyrtarja evropiane, Shqipëria do të anëtarësohet pas 48 vitesh në Bashkimin Evropian, më vonë se të gjitha shtetet e tjera, përveç Kosovës dhe Bosnjës.

Mali i Zi parashikohet të bëhet anëtarë me të drejta të plota i unionit pas 38 vitesh, Maqedonia e Veriut pas 40 vitesh dhe Serbia po për të njëjtën periudhë, pra 40 vite.

Vendi i katërt është Shqipëria me 48 vite dhe më pas Kosova dhe Bosnja, respektivisht 62 dhe 68 vite.

“Nëse do të isha një nga ato vende, nuk do të kisha besim se diçka do të ndryshojë ndonjëherë. Dhe Serbisë i duhen më shumë se 40 vjet. Zgjerim”, shkruan Federica Woelk, asistentja e Parlamentit Evropian në llogarinë e saj në X, ish-Twitter.

Pavarësisht se Shqipëria është cilësuar shpesh si lider mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, ky progresion është mjaft pesimist sepse vjen një muaj pas Samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë dhe ku u deklarua se vendi ynë do të jetë pjesë e unionit deri në 2030.

Nga ana tjetër, edhe ky raport nuk mund të konsiderohet i besueshëm, pasi nuk përmban asnjë element që të tregojë se ai është progresion zyrtar i Bashkimit Evropian.