Një valë arrestimesh ka përfshirë drejtimin e Burgut të Peqinit, ardhur kjo pas ngjarjes së rëndë ku Sokol Mjacaj, me burgim të përjetshëm, vrau me armë zjarri të dënuarin Arben Lleshi, po me burgim të përjetshëm.
Emrat e të ndaluarëve: Kamber Hoxha, drejtor i burgut Peqin; Qani Muça, shefi i policisë së burgut; Nikolin Gjonpalaj, ish-shefi i policisë së burgut; Vilson Shima, shef i regjimit të burgut; Arben Dulellari, specialist informacioni; Fatos Pire, Ilir Balla, Florenc Mile, Genci Muça, Indrit Dubali, Klement Haka dhe Erjon Çela.
Çështja është se si mundi ta siguronte armën me të cilën kreu vrasjen e radhës, kësaj here si i burgosur.
Sa për arsyet, Mjacaj thotë se Arben Lleshin e ka vrarë sepse kishte sherr me të, pasi se ka pranuar në sektor.
Por prokuroria ka dyshime për vrasje te organizuar kundrejt pagesës.
Tashmë, për atë që ndodhi pasditen e së premtes, duhet të përgjigjen ligjërisht drejtori i Burgut të Peqinit dhe vartës të tij.
Siç thuhet në një njoftimi policor, “në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, në IEVP Peqin, ku shtetasi Sokol Mjaçaj vrau me armë zjarri, shtetasin Arben Lleshi, plagosi shtetasin Indrit Shaqja (të tre këta shtetas vuanin dënimin me burgim të përjetshëm në IEVP Peqin), i cili është aktualisht në kujdesin e mjekëve, si dhe kanosi me këtë armë, punonjësit e shërbimit në këtë IEVP, ju informojmë se:
Nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u ekzekutua urdhri i prokurorit, për kryerjen e arrestimit në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, të shtetasit Sokol Mjaçaj, 28 vjeç.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të shtetasve:
-K. H., 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IEVP Peqin;
-Q. M., 60 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;
-N. Gj., 54 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;
-V. Sh., 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;
-A. D., 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;
-I. B., 46 vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-F. M., 43 vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-F. P., 50 vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-G. M., 49 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;
-K. H., 44 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;
-E. Ç., 36 vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;
-I. D., 41 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin.
Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, si dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit”.