Grei Bihuci është 19-vjeçari i cili mbeti i vdekur këtë të hënë, pasi u qëllua me thikë nga Florjan Muka.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 11:30 të kësaj të hëne në qendër të qytetit të Fierit.

Debati mes dy të rinjve agravoi deri në përdorimin e thikës. 18-vjeçari, Florjan Muka, qëlloi me thikë 19-vjeçarin i cili fatkeqësisht si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital.

Shokët e klasës së 19-vjeçarit kanë përlotur me mesazhin prekës për shokun e tyre në rrjetet sociale.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë se bangave të shkollës sonë, shokëve, mësuesve, prindërve dhe dy motrave, do ju mungojë Grei Bihuci, ky djalë i dashur, shembullor, i zgjuar dhe i papërtuar për të marrë dije. Dhimbja dhe lotët janë të pashtershëm për ty Grei. I shprehim ngushëllime të përzemërta familjarëve të Greit! Qofsh i paharruar në zemrat tona”, – shkruajnë nxënësit e shkollës profesionale “Petro Sota”.

Grei Bihuci, ishte nxënës në shkollën profesionale “Petro Sota”. I riu ditën e sotme kishte bërë 2 orë mësim dhe ishte larguar nga shkolla.

Ndërkohë, mësohet se ai pas shkollës, pasdite punonte si kamarier në një nga pastiçeritë e qytetit të Fierit.

Dyshohet se sherri mes Grei Bihuci dhe Florjan Mukës nisi në rrjetet sociale dhe më pas degradoi në përleshje fizike.

Nga konflikti mbeti i plagosur edhe shoku i viktimës Olti Serjanaj, 20 vjeç, i cili ndërhyri për ta shpëtuar.