Vrasja e Edmond Papës një javë më parë në Tiranë vijon të mbetet pa autor, e ndërsa dëshmitë e personave që kanë qenë prezentë në momentin e ekzekutimit nuk kanë ndihmuar grupin e hetuesve për të shkuar drejt autorëve. Report Tv me gazetarin Sokol Dema ka zbardhur dëshminë e pronarit të lokalit ku u vra Edmond Papa, i cili tregoi se pa një person me kapuç që kishte hyrë dhe më pas pa viktimën. Persona i pari që kishte kontaktuar kishte qenë kunata e Edmond Papës, e cila e kishte shtëpinë afër me lokalin.

“Kam qenë brenda në lokal dhe isha në banak. Kam dëgjuar zhurmë dhe mendova ishin fishekzjarre. Pashë një person me kapuç në kokë dhe pastaj dola nga banaku për te dera dhe në hyrje të lokalit kam parë viktimën, i cili me tha që ishte plagosur dhe të lajmëroja ambulancën. Ishte ora 16:25 dhe telefonova numrin 129 dhe më ka dalë sekretaria, i rashë dy herë. Nuk po më përgjigjeshin dhe shkova te banesa e vëllait të viktimës dhe aty doli kunata e viktimës dhe i kam thënë asaj që është plagosur kunati. U ktheva në lokal dhe hoqa xhupin dhe ia vendosa te koka viktimës dhe i vendosa një peshqir te plagët. Kunata e tij mori makinën për ta transportuar në spital pasi ambulanca nuk kishte ardhur akoma, më pas erdhi policia dhe pastaj ambulanca që e mori dhe çoi në spital”, ka thënë pronari i lokalit me inicialet, V.SH.

Kunata ka treguar se ka dëgjuar krismat, por kishte menduar se kishin qenë fishekzjarre. Përpara hetuesve, kunata ka thënë se pasi kishte telefonuar ambulancën, nuk e kishte pritur deri sa ajo të vinte, por kishte marrë makinën e vetë Edmond Papës dhe ishte nisur drejt spitalit.

“Në orën 10:00 në shtëpi kanë ardhur vjehrra së bashku me kunatin. Ata kanë ardhur në Tiranë me automjetin e kunatit tim, pasi do të kryenin disa vizita mjekësore të vjehrrës. Rreth orës 16:15, kunati më kërkoi që t’i jepja për të ngrënë vjehrrës, para se ta çonte për vizitë mjekësore. Kur isha duke i dhënë për të ngrënë vjehrrës dhe në ato momente dëgjova të shtëna. Kujtova se mos ishin fishekzjarrë, por më pas ra zilja e portës dhe ishte pronari i lokalit, ai më tha të lajmëroja ambulancën pasi ishte plagosur kunati im në lokalin e tij. Telefonova ambulancën dhe pastaj mora automjetin e kunatit tim për ta dërguar në spital, por më pas erdhi policia dhe ambulanca që e mori”, ka thënë kunata.

As dëshmia e vëllai të viktimës, nuk ka qenë aspak e vlefshme. Ai është shprehur se pak para se të vritej, nuk kishte parë asgjë të dyshimtë te i vëllai, duke theksuar se nuk i trembej një atentati, prandaj as nuk ruhej.

“Nuk kam parë asnjë shqetësim të vëllai dhe ai nuk ruhej, nuk ka pasur konflikte”, tha thënë vëllai i Edmond Papës.

49-vjeçari Edmond Papa u ekzekutua më 16 dhjetor rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ndodhej në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”. 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk u mbijetoi plagëve të marra.

Autori ka qëlluar 9 herë me pistoletë dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në këmbë. Dyshohet se ai është ndihmuar nga persona të tjerë që të largohet, por ende nuk ka të dyshuar. Edmond Papa ishte i njohur për Autoritetet e Greqisë. Ai ishte dënuar për trafik droge dhe më parë kishte punuar në Britaninë e Madhe. Siç ka rrëfyer edhe kunata, ai kishte shkuar për pak kohë në Shqipëri ku do të shkonte për të vizituar nënën e tij.

Për vrasjen janë dy pista hetimi, konfliktet e mundshme në Greqi si edhe disa mosmarrëveshje për pronat e paluajtshme në Shqipëri. Ka dyshime se urdhri për vrasjen e tij është dhënë nga burgjet e Greqisë.