Një javë nga vrasja e Edmond Papës në Selitë, në kryeqytet, policia ende nuk ka ende asnjë autor të dyshuar.
Agresori i 49-vjeçarit është dokumentuar nga 5 kamera sigurie, por deri në një tunel në rrugën Fadil Bodinaku, ndërsa më pas shkëputen pamjet filmike.
Për hetuesit nuk është përcaktuar ende nëse autori është larguar nga zona ku ndodhi vrasja me ndonjë automjet, apo ka qëndruar i fshehur në ndonjë banesë. Për këtë arsye është zgjeruar koha e këqyrjes së kamerave për të verifikuar lëvizjet e autorit dhe monitorimi.
Për hetimet e kësaj ngjarjeje, drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, iu përgjigj interesit të Klan News. Gjatë një aktiviteti ai u shpreh se një grup i posaçëm me ekspertë po kryen verifikime të ndryshme.
“Kam për të deklaruar se për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë kriminale, po funksionon edhe në këto momente, një grup i posaçëm hetimor. Ne nuk mund të ndajmë më shumë me median dhe publikun në këto momente. Është një hetim që do të marrë kohën e nevojshme dhe shpresojmë që hetimi të sjellë rezultate pozitive”, ka thënë Tonin Vocaj.
Grupi hetimor ka shtrirë hetimet dhe ka kërkuar informacione për dy vrasje të tjera, pasi viktimat kishin lidhje me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për ekzekutimin e Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja, në Greqi, për zhdukjen e një ngarkese prej 700 kg kanabis dhe të Aleksandër Sadikajt ngjarje e ndodhur pak muaj më parë në Tiranë.
Për vrasjen e dy shqiptarëve në Athinë, grupi hetimor ka kërkuar informacione nëse u ekzekutuan si kundërpërgjigje e vrasjes së Edmond Papës në Tiranë, apo nëse është një vijimësi e vrasjeve të të njëjtin grup, që nisën fillimisht me Aleksandër Sadikajn, Edmond Papën dhe së fundmi me dy shqiptarët, Çerçizaj dhe Armando Ogranaja.