Janë identifikuar 4 nga 7 shqiptarët që u përfshinë në sherrin masiv një natë më parë në Athinë, ku mbeti i vrarë aksidentalisht shtetasi Pëllumb Islami.

Sipas autoriteteve vendase, të 7 shqiptarët dyshohet se janë arratisur drejt Shqipërisë për t’i shpëtuar arrestimit nga policia. Pavarësishut se nuk janë bërë të ditur emrat, mediat helene kanë publikuar fotot e disa prej personave të shpallur në kërkim.

Personat e përfshirë në këtë konflikt janë pjesë të dy grupeve kriminale të trafikut të drogës, trafikut të qenieve njerëzore dhe gjobvënies.

Dy bandat janë rivale me njëra-tjetrën, ç’ka çoi dhe në sherrin masiv. Një natë më parë, 7 shqiptarët u futën në një lokal në Athinë, dhe pas një sherri të ashpër, njëri prej tyre ka qëlluar 9 herë me armë.

Një prej plumbave ka kapur aksidentalisht 40-vjeçarin Pëllumb Islami, duke i marrë jetën në vend. Viktima nuk kishte asnjë lidhje me personat në fjalë, ndërsa raportohet se ishte duke parë ndeshjen me shokët e tij.