Barinjtë e Petranit në Përmet, janë tubuar për marrjen e kullotave nga një individ i vetëm.

Ky i fundit ka nxitur tërë barinjtë e zonës gati 23 të tillë, që të tubohen në fshatin Kaludh pjesë e Njësisë Administrative Petran, Bashkia Përmet, për të protestuar ndaj padrejtësive që i’u bëhen këtyre të fundit vetëm nga një individ, që nuk është pjestar i kësaj njësie administrative.

Janë hektarë kullota dhe toka bujqësore disa publike e disa të marra në përdorim prej barinjve, që po përdoren për hesap të një personi të vetëm, duke shkaktuar indinjatë deri në kufijtë e një përplasjeje fizike.

Barinjtë i kanë shpenzuar të gjitha shkallët e ankesave duke filluar qysh nga kreu i Njësisë Administrative të Petranit, Policia e Përmetit, e më pas Bashkia.

Të gjitha ankesat janë përcjellë zyrtarisht dhe të protokolluara çka përgjigja e këtyre organeve vendore, që janë përgjegjëse për të zgjidhur apo parandaluar konflikte, kanë qenë tërësisht jashtë pritshmërive të vetë barinjve.

Të gjendur në këto kushte, ata i janë drejtuar Jugulajm.net si shpresa e fundit me qëllim konsumimin e plotë të ankesave të tyre në formën e shkruar, duke i hapur rrugën konfrontimit fizik mes tyre dhe një individi.

Edhe kryeplaku i fshatit Lefter Sotiri mbështet tërësisht ankesat e barinjve madje jo vetëm kaq, por ka qenë dhe një ndër nismëtarët për përpilimin e ankesave shkresore dërguar institucioneve shtetërore, duke respektuar në këtë mënyrë hapat ligjorë.

Barinjtë kërcënojnë se nëse Policia apo dhe institucionet vendore të Përmetit nuk do të ndërhyjnë, atëherë do të ketë përplasje fizike mes tyre dhe personit që po dëmton kullotat dhe tokat bujqësore.