Orët e fundit të jetës së saj, 30-vjeçarja Liridona Ademaj, i kaloi në shoqërinë e bashkëshortit të saj, Naim Murseli dhe dy fëmijëve të tyre, 4 dhe 6-vjeç.
E ndjera nuk e kishte idenë se darka në një prej restoranteve të Graçanicës, do të ishte e fundit për të.
Pak orë më vonë, ajo u vra me armë zjarri nga Granit Plava, tashmë i arrestuari nga Policia.
Ky i fundit, dyshohet se armën drejt Liridonës e shkrepi me porosi të Naimit, i cili dyshohet se pagoi 30 mijë euro për ta privuar nga jeta bashkëshorten.
Gazeta Sinjali ka publikuar pamje nga nata kritike në restorantin ku po darkonin familja Murseli.
Siç shihet dhe në videon e mëposhtme, ata hyjnë brenda restorantit dhe ulen për të vazhduar më tej me darkën.
I pranishëm në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin restorant, ka qenë edhe autori i dyshuari, Granit Plava, teksa Gazeta Sinjali ka publikuar me video momentin kur ai futet në restorant.
Pas përfundimit të darkës, Naimi bashkë me Liridonën dhe fëmijët janë nisur me makinën e tyre, deri kur arritën në rrugën “Dalip Alshiçi” e ku u doli në pritë, siç kishin përgatitur skenarin, Granit Plava, gjoja për t’i grabitur, ndërkohë që e qëlloi nga afër Liridonën me plumb në qafë.
Ngjarja u regjistruar të mërkurën e 29 nëntorit në Sinidoll të Prishtinës.
Granit Plava, i cili është arrestuar si ekzekutuesi i krimit ka deklaruar se ka marrë nga porositësi 15 mijë euro, ndërsa i është premtuar se do të merr edhe 15 mijë euro të tjera.
Për këtë krim është arrestuar edhe nipi i Naim Murselit, Kushtrim Kokalla. Ai është edhe anëtar i FSK-së.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Kokalla akuzohet për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar nga një muaj paraburgim Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës për vrasjen e Liridona Ademajt.
Arsyet pse Naim Murseli organizoi vrasjen e bashkëshortes së tij, duke e inskenuar si grabitje, mbeten ende mister, teksa Prokuroria po vijon hetimet.
Ditën e sotme u arrestua dhe një person i katërt për krimin e rëndë. Në pranga është vënë shtetasi Tomë Dodaj, 49-vjeç, nga fshati Novosellë i Gjakovës.
Dyshohet se ky i fundit u ka shitur armën që është përdor në krim Naim Murselit dhe Granit Plavës.