Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga 27-vjeçarin e shpallur në kërkim pasi theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Efektivët e Gjirokastrës bën me dije se 27-vjeçari u kap në flagrancë për të vjedhur një automjet.

“Pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, në afërsi të një karburanti, një shtetas po tentonte të vidhte një automjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e vjedhjes dhe kapjen e autorit.  Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, është kapur në flagrancë duke vjedhur automjetin, shtetasi H. M., 27 vjeç, banues në Ksamil.     

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Policia e Sarandës, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Sarandës, për veprën penale “Vjedhja””, thuhet në njoftim.

Policia po vijon punën për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga 27-vjeçari.