Të shtënat me armë zjarri jashtë një klubi nate në Gazi në Greqi kanë tronditur zonën dhe kanë alarmuar policinë greke për kapjen e autorëve të cilët, sipas medias greke janë dy shqiptarë.

Këto të fundit konsiderohen me rrezikshmëri të lartë për shkak të precedentëve të rëndë kriminale. Si pasojë e të shtënave u plagosën tre persona.

Incidenti filloi në një piceri pranë vendit të sulmit, që është jashtë klubit S-Cape në rrugën Iakhou. Sipas informacioneve, një grup prej 6-7 personash nga Kreta që ndodheshin në Athinë për një festë beqarie, janë konfliktuar me dy shqiptarët që po hipnin në një fuoristradë tip “Range Rover”.

Pas debatit dhe teksa grupi i grekëve ndodhej jashtë lokalit të natës, njëri nga dy shqiptarë ka hapur zjarr ndaj tyre duke plagosur dy vëllezër dhe një shokun e tyre.

Fillimisht, ai qëllon të riun që po përleshej me shokun e tij, më pas qëllon në kokë personin e dytë që po tenton të largohet, ndërsa nuk heziton të qëllojë edhe një pjesëtar të tretë të grupit, i cili po shikonte përleshjen.

Dy vëllezërit nga Malia e Kretës, të moshës 29 dhe 34 vjeç, janë në gjendje të rëndë në Klinikën e Neurokirurgjisë të Spitalit “Gennimatas”, me dëmtime në kokë.

Me plagë më të lehta po trajtohet edhe shoku i tyre 29-vjeçar, i cili ra përtokë i gjakosur pas sulmit vrasës.