“Nga Shqipëria ikin çdo dite 130 vetë. Pse ikin këta nga kjo parajse e punës dhe e punësimit?! Ikin sepse nuk jetojnë dot”, shprehej Rama në 2013-ën. Ndërkohë në 2019-ën ai deklaronte se; “Kush thotë se ikja e njerëzve sot nga Shqipëria lidhet me qeverisjen, nuk kupton asgjë. Ose nuk kupton asgjë, ose është i poshtër,”.
Duket se kryeministri Edi Rama ka shpjegime të ndryshme për shkaqet e emigrimit të shqiptarëve. Kur ishte në opozitë në vitin 2013 bënte përgjegjëse qeverinë e Berishës, vjedhjen e votës, mungesën e punësimit e te shpresës, ndërsa tashmë që është vetë në krye të qeverisë, pllaka është kthyer në anën tjetër.
“Pse ikin këta nga kjo parajsë e punës dhe punësimit? Ça shkojnë të gjejnë atje? Ikin se nuk jetojnë dot.”, thoshte Rama kur ishte në opozitë.
“Kush thotë se ikja e njerëzve nga Shqipëria lidhet me qeverisjen, nuk kupton asgjë gjë.”, pohonte Rama më 2019-ën.
Largimi masiv i shqiptareve nga vendi është tashmë një fakt. Sipas të dhënave të Instat, ne 10 vitet e fundit që përkojnë me kohen kur PS ka mbajtur pushtetin janë larguar nga vendi 7.5% e popullsisë, por realisht shifrat janë shumë më tepër se kaq. Edhe vetë përfaqësues të maxhorancës kanë pohuar se prej vitit 2013 janë larguar nga vendi rreth 500 mijë shqiptarë. Por, kryeministri Rama përsërit se qeveria nuk ka përgjegjësi dhe se emigrimi është kthyer në një trend europian.
“Asnjë lloj skuadër politike e ardhur dhe nga hëna në këtë vend, nuk do të kishte mundur dot që të mbyllte derën edhe që shqiptaret t’i mbante këtu që të gjithë. Sepse kjo nuk bën sens..”, pohoi Rama pak ditë më parë.
Por në shkurt të 2013-ës Rama shprehej se: “Nga Shqipëria ikin çdo dite 130 vetë. Pse ikin këta nga kjo parajse e punës dhe e punësimit?! Ikin sepse nuk jetojnë dot”.
Tashmë, referuar shifrave të të larguarve, rezulton se ikin 140 vetë në ditë. Në tentativën për të manipuluar situatën dhe shkaqet e largimit të shqiptarëve, Rama thotë se drama njerëzore në kanalin e La Manche është produkt i thashethemeve të përhapura se ‘Britania ka mungesa dhe këtë boshllëk mund ta mbushim ne’.