Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës ka qenë mikpritës i Konferencës së 50-të Botërore të Baladave organizuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Baladave (KfV) dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë e Gjirokastër me temë “Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë”.
Mbi 60 studiues dhe kërkues të baladave nga universitetet dhe qendrat kërkimore më të rëndësishme europiane e botërore kanë marrë pjesë me kumtime në këtë ngjarje të madhe shkencore që përkon edhe me 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Akademik Shaban Sinani pohon se ky është organizimi më i rëndësishëm i këtyre përmasave prej vitit 1983.
Në konferencë ishin të pranishëm disa nga studiuesit më të rëndësishëm në nivel botëror, studiues arbëreshë të Italisë, studiues nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, studiues shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe punojnë në universitete e në qendra kërkimore si dhe 4 studiuese nga Ukraina.
Përmes kumtesave disa nga studiuesit vendas shpërfaqën disa anë të panjohura ose të pastudiuara më parë të baladave shqiptare, si dhe u ofruan mundësitë e bashkëpunimit dhe nxitjes së studimeve krahasuese në të ardhmen me kolegët ndër kombëtarë.