Në emisionin Money në Euronews Albania u analizua prodhimi i ullirit në Shqipëri.

Tregu i eksportit të vajit të ullirit u hap në vitin 2003 nga një program zviceran që filloi të mbështesë dhe nxitë kompanitë vendase. Gradualisht këto të fundit, janë futur në këtë treg, dhe kanë shitur mesatarisht çdo vit rreth 100 tonë vaj, në vende si, Maqedonia e Veriut, Kosova, Kenia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite Zvicra e Belgjika.

Por, viti 2023, solli një kthesë të madhe për tregun tonë, i cili arriti të shesë mbi 6000 litra, kryesisht në Itali e Greqi.

Prodhuesi i vajit të ullirit Tauland Shehu tha se çmimin janë aktualisht të kënaqur, por prodhimi është i pamjaftueshëm.

“Kanë goxha fitime, sidomos këtë vit me çmimin që po tregtohet. Vitet e kaluara janë ankuar për shkak të tregut. Nuk ka pasur treg për për t’u eksportuar. Këtë vit, po shkon i gjithi në Itali, vetëm se nuk ka prodhim të mjaftueshëm për të qenë të kënaqur, por me zinxhirin e tregut sot për sot, e ka të garantuar cdo fermer”, tha ai.

Sakaq eksperti i bujqësisë Ilir Pilku tha se vlerat e fitimeve nga vaji i ulliri do të ishin më larta nëse do të ishte bërë marketing më i mirë.

“Nuk mund të themi që vitin e kaluar kemi përfituar nga eksportet tona, pavarësisht se kanë pasur një volum të lartë. Rreth 7000 tonë është eksportuar dhe kemi gjeneruar 30 milionë euro, ndërkohë që do të kishim përfituar dyfishin e kësaj vlere nëse do ta kishim marketuar mirë”, tha ai.