Konsullja e përgjithshme e Italisë në Vlorë, Iva Palmieri, është ndalur në Gjirokastër për t’u bërë pjesë e turit “Histori italine nga Jugu”.
Historia dhe gjurmët e arkitekturës, shkëmbimeve në kulturë, art, ekonomi, investimet e mëdha në elektrifikim, transport, telekomunikacion dhe edukim vijnë si një shëtitje turistike në qytet në plot 3 orë.
Banca di Napoli apo hotel Savoya, centrali elektrik, ujësjellësi, vilat, qendrat tregëtare, libraria “Dante Aligheri” gjimnazi, ish karabinieria, ofiçina e ndërtuar nga Fiat janë mes stacioneve kryesore të gjurmëve italiane në Gjirokastër. Konsullja Palmieri, që jetoi këtë eksperiencë në qytet, tha se turizmi i historisë dhe kulturës i ofruar bazuar në fakte po e bën shumë të rëndësishme ofetën turistike të Gjirokastrës.
Një nismë interesante. Një tur që na njeh me praninë italiane në Gjirokastër. Është gjithmonë kënaqësi të gjendesh në këtë qytet dhe po kaq kënaqësi ka qenë edhe shikimi i kësaj eksperience që me siguri do të pasurojë edhe paketën turistike të të gjithë rajonit dhe që me siguri do të tërheqë turistët italianë që janë çdo vit e më të shumtë në Gjirokastër-eshte shprehur konsullja italiane ne Vlore.
Përmes turizmit po evidentohen historitë e personaliteteve që kaluan jetën mes banorëve të qytetit, njerëz që ndërtuan, kontribuan në industri e tregëti, ata që u vranë ose persekutuan prej regjimit komunist. Vizitorët njihen me rolin e Enver Hoxhës, dhe histori vetjake të tij që çuan në ndërshkime ndaj italianëve të Gjirokastrës.
“Histori italiane nga Jugu” vjen në qytet krahas ofertave turistike për të zbuluar historinë e Luftës së Ftohtë në qytet, shkrimtarin “Ismail Kadare” në të parin tur të letërsisë në vend apo mundësinë për të shijuar eksperienca lokale.