Hazbi Seitin e njohin të gjithë në Sarandë.
Ai është këpucari më i vjetër i qytetit. Këtë punë e nisi kur ishte 18 vjeç dhe prej 40 vitesh nuk është shkëputur asnjëherë.
“E kam filluar zanatin në vitin ’85. Tek ustalarët e vjetër të qytetit e kam mësuar. Në vitet ’90 që u prish sistemi kaluam çdo gjë në punët tona. Unë vazhdova, shokët emigruan. Unë vahdova zanatin pa shkëputje.”, tregon ai.
Hazbiun e gjetëm në punishten e tij të vogël, ku punon me orë të gjata çdo ditë. Lumturinë ky profesion ia jep kur merr vlerësime nga klientët.
“Isha i detyruar që u futa në këtë zanat. E nisa me dëshirë dhe e vazhdoj akoma. Rreth 40 vite ky zanat. Është zanat i bukur, kemi marrë lavdërime nga njerëzit shumë. Kur e bën me kënaqësi nuk ndjen lodhje. Ndjen gëzim kur klienti ikën i kënaqur.“, thekson Seiti.
Mjetet e punës janë më të rëndësishmet për një këpucar, por për të kjo shishe është e veçantë.
“E përdornim për të mbushur qumësht dhe kos në komunizëm, tani e përdor për të mbajtur ngjitësin e këpucëve. E kam mbajtur, më kujton fëmijërinë. 40 vite duke hedhur mastic tek ajo shishe, na është bërë si shok.“, shton Seiti.
Hazbiun ndjen keqardhje që të rinjtë nuk kanë interes për ta mësuar dhe profesioni i tij po zhduket.
“E ardhmja e kësaj pune është shumë e vështirë me këtë rini. Kam folur me të afërm që tua mësoj zanatin, por nuk ka interes nga asnjë. Është fatkeqësi që ky zanati jonë të humbasë.”, u shpreh ai.
Hazbi Seiti nuk zgjodhi të emigrojë asnjëherë. Profesionin që i ka siguriuar të ardhurat gjatë gjithë jetës thotë se do të vazhdojë ta ushtrojë.