Në përpjekjet për një turizëm gjithëvjetor, Gjirokastra e shmangu këtë vit traditën e çeljes zyrtare të sezonit turistik. Fundjava e parë e majit veshi rrugët e kalldrëmta me një ngjyrat e qilimave dhe motive tradicionale.
Spektakli i veçantë solli në Pazarin e Gjirokastrës demonstrime publike të traditës së punës në tezgjah, shoqëruar me kënde të ndryshme muzikore të polifonisë, muzikës instrumentale dhe grupeve live të jetës së natës.
Pjesë e eventit që gjalleroi fundjavën gjirokastrite u bënë qindra vizitorë dhe turistë, ndërsa mbrëmja kulmoi me muzikën e Edea Demaliaj & Band.
Sipas kryebashkiakut Flamur Golemi, Gjirokastra ka nisur një 2022 të suksesshëm në turizëm duke arritur të tërheqë vëmendjen edhe falë eventeve të shumëllojshme dhe fundjavave të pasura me aktivitete.