Kjo godinë dy katëshe në lagjen Gërhot të qytetit të Gjirokastrës e ndërtuar nga italianët në fund të viteve ’30 të shekullit të kaluar, ka shërbyer si ambjent banimi për familjarët e ish ushtarakëve italianë. Pas ardhjes në pushtet të komunistëve, kjo godinë i kaloi Ushtrisë Popullore të cilën e ktheu në ambjent ku stacionoheshin zyrat e Divizionit të Jugut.

Në kohën e tranzicionit, u privatizua duke u’a shitur për dy pare ish punonjësve ushtarakë apo civilë që shërbenin në ish Ushtrinë Popullore. Sot ndërtesa është tërësisht e degraduar dhe e pabanueshme duke marrë trajtën e një ngrehine. Të vetmit që guxojnë të përballen me realitetin jo për sport, por nga halli, janë pjestarët e familjes Zani. Në kushtet e mungesës së sigurimit të një ambjenti të përshtatshëm për të jetuar normalisht, tre pjestarët e kësaj familjeje, sfidojnë të ftohtin, lagështinë dhe temperaturat sahariane në verë e polare në dimër. Situata në mot me shi është kjo që po shikoni.

Të gjitha llojet e enëve janë vënë në shërbim për të pritur pikat që bien prej tavanit. Ky i fundit po jep shpirt pasi një pjesë e mirë e suvasë horizontale, ka rënë dhe për fat nuk ka shkaktuar probleme shëndetësore tek pjestarët e kësaj familjeje të varfër. Kryefamiljarja rrëfen peripecitë dhe vuajtjet shëndetësore që kanë kaluar dhe kalojnë të tre pjestarët e familjes pikërisht për shkak të kushteve mizerabile që jetojnë. Ajo ka apeluar tek Bashkia e Gjirokastrës për të ofruar ndonjë strehë për të futur kokën e kësisoj, qetësuar sadopak nga dhimbja e sëmundjeve të fituara prej lagështisë.

Jugulajm.net u interesua në Bashkinë e Gjirokastrës dhe me sinjalizimin e kësaj situate, një grup nga Emergjencat Civile kanë inspektuar godinën në fjalë dhe dolën në përfundimin se banesa është tërësisht e papërshtatshme për të jetuar për shkak të nivelit të lartë të lagështisë në masën 70% dhe pasigurisë fizike që ofron ajo. Për rjedhojë, në mbledhjen e afërt të Këshillit Bashkiak, këshilltarëve do t’iu propozohet që kjo familje të përfitojë nga bonusi i qerave sociale deri në rigjenerimin e pjesshëm të banesës.